Me ftesë të ministres së Mbrojtjes së Spanjës, Margarita Robles Fernandez, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, ka marrë pjesë në hapjen e Samitit të 3-të Ndërkombëtar Global mbi Inteligjencës Artificiale në Mbrojtje (REAIM), i cili mbahet në qytetin spanjoll A Coruna, transmeton Anadolu.
Në kuadër të samitit, siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Misajllovski theksoi se samiti përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e ideve të ekspertëve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Qëllimi i këtij samiti, që mbahet këto dy ditë, është përforcimi i ndërgjegjësimit global për zhvillimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në një kontekst ushtarak, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtar.
“Teknologjia në fushën ushtarake po zhvillohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe për këtë arsye bashkëpunimi në këtë fushë është thelbësor në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe aftësinë e aleatëve për të garantuar sigurinë”, tha Misajllovski.
Ai theksoi se ftesa për pjesëmarrje është gjithashtu provë e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe të mbrojtjes me Spanjën, promovimi i të cilave, siç tha ai, ishte një temë kryesore e takimit.
Misajllovski gjithashtu përmendi se Maqedonia e Veriut në nëntor të vitit 2024 ishte vendi i parë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) nga Ballkani që nënshkroi Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes me BE-në. Ai shtoi se kontributi i vendit të tij në sigurinë rajonale dhe kolektive do të vazhdojë me të njëjtin intensitet në të ardhmen.
Në këtë samit, njoftoi ministria, marrin pjesë ministra, përfaqësues shtetëror nga pothuajse të gjitha vendet anëtare të OKB-së, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademike, si dhe të ftuar të tjerë.




