“Mjekët pa Kufij”: Gjenden migrantë të rrahur dhe të prangosur në ishullin grek Lesbos

Organizata “Mjekët pa Kufij” njoftoi se një grup migrantësh u gjetën të rrahur dhe të prangosur në ishullin grek Lesbos (Midilli), transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga grupi prej 22 migrantësh të sapoardhur në ishull, tre u gjetën të shtrënguar në pranga dhe katër të tjerë të plagosur, të cilët besohet se janë rrahur, thuhet në deklaratën e organizatës ndërkombëtare.

Duke iu afruar migrantëve, ekipi i urgjencës së Mjekëve pa Kufij “filloi të dëgjonte njerëzit duke bërtitur”, citohet të ketë thënë Teo Di Piazza, koordinatori i projektit në ishullin Lesbos.

“Ne ishim të shqetësuar dhe filluam të vraponim në drejtim të tyre. Të gjithë po qanin, gra, fëmijë dhe burra”, shtoi ai.

Migrantët, sipas Di Piazza-s, thanë se shtatë ose tetë persona “i ishin afruar grupit, duke thënë se ishin mjekë dhe kishin ushqim. Ata filluan t’i rrahin dhe t’i prangosnin sapo i gjetën”.

Kur dëgjuan mjekët që po afroheshin, sulmuesit u larguan me vrap.

“Ne mund të shihnim se njerëzit ishin në një gjendje kritike”, tha Di Piazza, duke shtuar: “Duhej të thërrisnim një nga psikologët tanë për të ofruar ndihmën e parë psikologjike urgjente për grupin”.

Katër personat e lënduar u dërguan në spital ndërsa në deklaratën e grupit “Mjekët pa Kufij”, thuhet se ekipet e tyre “kanë dëgjuar dëshmi të ngjashme të dhunës që ndodhin kur njerëzit mbërrijnë në ishujt Lesbos dhe Samos për të kërkuar siguri pas një udhëtimi traumatik. Këto raporte janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe ne kërkojmë nga autoritetet përkatëse shtetërore që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar incidente të tilla”.

Në deklaratë thuhet se “njerëzit duhet të kenë qasje në procedurat e sigurta të pritjes, mbrojtjes dhe azilit”.

Për vite të tëra, grupet e të drejtave të njeriut dhe zyrtarët turq kanë dokumentuar raste të rrahjes, abuzimit, zhveshjes së rrobave dhe vjedhjeve të kryera ndaj emigrantëve të parregullt kur kalojnë kufirin në Greqi, nga toka ose nga deti, shpesh nga duart e kufitarëve grekë. Ata kanë kërkuar miratimin e reformave dhe masave të tjera për të ndaluar incidente të tilla, të cilat shkelin ligjin ndërkombëtar.