Modi pas takimit me Scholz: India dëshiron të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ofroi sot të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, duke thënë se vendi i tij insiston për zgjidhjen e mosmarrëveshjes përmes dialogut dhe diplomacisë, transmeton Anadolu.

Ai e deklaroi këtë gjatë një konference të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz pas bisedimeve në nivel delegacioni mes dy vendeve.

“India ka insistuar në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje përmes dialogut dhe diplomacisë që nga fillimi i luftës. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në çdo proces paqeje”, tha Modi.

Scholz mbërriti mëngjesin e sotëm në New Delhi për një vizitë zyrtare dy-ditore në Indi, e para e tij që nga marrja e detyrës në vitin 2021.

Të dy krerët diskutuan një sërë temash, me fokus në forcimin e lidhjeve dypalëshe në fushat e energjisë së pastër, tregtisë dhe teknologjive të reja.

“Përveç se është partneri ynë më i madh tregtar në Evropë, Gjermania është gjithashtu një burim i rëndësishëm investimi në Indi. Lidhjet e forta midis Indisë dhe Gjermanisë bazohen në vlerat e përbashkëta demokratike dhe interesat e përbashkëta”, tha Modi.

Kancelari gjerman Scholz tha se lufta është një fatkeqësi e madhe, sepse, siç tha ai, bota po vuan për shkak të “agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

“Ne duhet të sigurojmë se lufta e tmerrshme e agresionit të mos ketë ndikim të rëndësishëm dhe negativ në vendet në Azi, Afrikë dhe Amerikë”, tha Scholz.

Duke folur për lidhjet ekonomike mes dy vendeve, kancelari gjerman deklaroi se rreth 1.800 kompani gjermane operojnë në Indi të cilat punësojnë mijëra njerëz.

“Ne kemi nevojë për talentë. Kemi nevojë për punëtorë të kualifikuar. Teknologjia e informacionit dhe zhvillimi i softuerit në Indi po lulëzon. India ka kaq shumë talentë dhe ne duam të përfitojmë nga ky bashkëpunim”, tha Scholz.