Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka zhvilluar një vizitë pune në Varshavë me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, Radoslaw Sikorski, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, gjatë takimit me homologun e tij, Mucunski shprehu kënaqësi për nivelin e lartë të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar se ato janë të bazuara në miqësi të sinqertë dhe vlera të përbashkëta të ndërtuara për më shumë se tri dekada.
Ai theksoi se kjo përbën një bazë të fortë për rritjen e mëtejshme dhe avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Dy ministrat u pajtuan që në periudhën e ardhshme fokus i veçantë të vendoset në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe tërheqjen e investimeve të reja polake.
Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua procesit të integrimit evropian, ku Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë. Ai theksoi se Polonia është një nga mbështetëset më të zëshme të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), duke përmendur angazhimin e saj në formate si Grupi i Vishegradit, “Miqtë e Zgjerimit” dhe Trekëndëshi i Vajmarit.
Bashkëbiseduesit gjithashtu diskutuan bashkëpunimin si vende aleate në NATO, si dhe çështje aktuale rajonale, globale dhe të sigurisë.
Në një konferencë të përbashkët për media, Mucunski theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve është rezultat i më shumë se tri dekadave besim dhe bashkëpunim.
“Sot, ne e konfirmuam këtë partneritet dhe kemi hedhur themelet për thellimin e tij të mëtejshëm, veçanërisht në ekonomi dhe tregti, si shtylla kyçe të marrëdhënieve tona”, tha ai.
Gjatë vizitës në Varshavë, Mucunski u takua edhe me kryetaren e Komisionit për Çështje të BE-së në parlamentin polak, Agnieszka Pomaska, me të cilën diskutoi për procesin eurointegrues dhe rolin e bashkëpunimit parlamentar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.





