Muhamedi a.s. i besueshëm dhe besnik

Dr. Ajni Sinani

Morali, sinqeriteti, thjeshtësia, modestia, vendosmëria, burrëria, guximi, bujaria, falja dhe trajtimi i krijesave me dhembshuri, mëshirë, drejtësi e ndershmëri, janë cilësitë me të cilat është shquar Muhamedi a.s. që nga fillimi.

Morali, sinqeriteti, thjeshtësia, modestia, vendosmëria, burrëria, guximi, bujaria, falja dhe trajtimi i krijesave me dhembshuri, mëshirë, drejtësi e ndershmëri, janë cilësitë me të cilat është shquar Muhamedi a.s. që nga fillimi.
Muhamedi a.s. që s’kishte gënjyer kurrë për njerëzit dhe për çështjet e kësaj bote, si do të gënjente për Zotin?! Si do të gënjente kur ai kishte thënë: “Mos iu shmangni drejtësisë dhe ndershmërisë, sepse ato të çojnë në të mirë, dhe e mira dhe mbarësia të çojnë në xhenet. Për aq sa njeriu ta thotë të drejtën dhe ta kërkojë të drejtën, ai shkruhet në grupin e besnikëve tek Allahu. Kurrë mos gënje! Sepse gënjeshtra të çon në të keqe dhe e keqja të shtyn në xhehenem. Për aq sa njeriu vazhdon të gënjejë, ai më në fund do të shkruhet në defterin e gënjeshtarëve tek Allahu.”(1)
Morali, sinqeriteti, thjeshtësia, modestia, vendosmëria, burrëria, guximi, bujaria, falja dhe trajtimi i krijesave me dhembshuri, mëshirë, drejtësi e ndershmëri, janë cilësitë me të cilat është shquar Muhamedi a.s. që nga fillimi. Këto cilësi të tij janë pohuar dhe pranuar edhe nga të gjithë banorët e Mekës, para pranimit të shpalljes dhe pas pranimit të shpalljes. Prandaj ata e quanin Muhamed el-Emin, Muhamedi i besueshëm.(2)
Ibni Abasit tregon: Kur Zoti e urdhëroi Pejgamberin a.s. t’i thërrasë në rrugën e drejtë fisin e tij të afërt, Pejgamberi u ngjit në bregun Safa dhe i thirri me emër fiset e kurejshëve. Kush mundi, shkoi ta dëgjojë atë kumtesë, e dikush dërgoi dikë për të kuptuar se si qëndron çështja. U tubuan kurejshitët si edhe xhaxhai i
Pejgamberit, Ebu Lehebi. Ata i thanë: “Pse na thirre?” Pejgamberi u tha: “Nëse ju them se disa kalorës, atje pas bregut në luginë, kanë ndërmend t’ju sulmojnë, a më besoni?” Ata i thanë: “Po, sepse ti nuk ke gënjyer kurrë në jetën tënde!” Pejgamberi tha: “Pra, unë po ju them se jeni pranë një ndëshkimi shumë të ashpër!”
Vërtetësinë dhe besueshmërinë e Muhamedit a.s. e kanë pohuar të gjithë, si miqtë ashtu edhe armiqtë. Muhamedi a.s. nuk ka qenë mendjemadh, e as lajkatar.
El Buhari shënon nga Abdullah b. Abasi se i Dërguari i Allahut shkroi një letër dhe ja dërgoi perandorit të Biznantit, Herakliut, me anë të së cilës e thërriste në Islam. Herakliu pasi kishte ngadhënjyer ndaj ushtrisë persiane shkoi në Jeruzalem për t’i shprehur falënderimin Zotit.
Kur Heraklitit i erdhi letra e të Dërguarit të Allahut, që Dihja ia kishte çuar Herakliut nëpërmjet guvernatorit të Busras (në Siri), pasi që e lexoi tha: më gjeni një njeri prej popullit të tij që të pyesim për këtë Pejgamber.(3)
Ibn Abbasi r.a. tregon: “Një herë Ebu Sufjan Ibn Harbi më tregoi se Herakliu i kishte çuar atij një lajmëtar, kur ky kishte qenë duke shoqëruar një karvan të kurejshëve. Ata ndodheshin për tregti në Sham (Siri, Liban, Palestinë, Jordani – të gjitha ishin një vend me këtë emër) në kohën kur i Dërguari i Allahut a.s. ishte në paqe të përkohshme me Ebu Sufjanin dhe idhujtarët kurejshë. Kështu, Ebu Sufjani dhe shoqëruesit e tij shkuan te Herakliu në Ilija (Jeruzalem). Ai i ftoi ata në oborrin mbretëror të mbushur me fisnikë romakë rreth vetes dhe thirri përkthyesin e tij. Pastaj pyeti (nëpërmjet përkthyesit): “Cili prej jush është më i afërti i këtij burri që pretendon të jetë Pejgamber?” Ebu Sufjani u përgjigj: “Unë jam më i afërti i tij nga ne këtu.” Herakliu tha: “Silleni atë (Ebu Sufjanin) pranë meje, kurse të tjerët afrojini këtu, pas shpinës së tij.” Pastaj Herakliu i tha përkthyesit që t’u thoshte atyre se ai donte t’i bënte Ebu Sufjanit disa pyetje në lidhje me Pejgamberin a.s. dhe, në qoftë se do të gënjente, atëherë ata ta përgënjeshtronin atë.
Ebu Sufjani më ka thënë: “Për Allahun! Po të mos kisha turp nga shoqëruesit e mi se do të më vinin etiketën e gënjeshtarit, unë nuk do të kisha treguar të vërtetën për Pejgamberin a.s. Pyetja e parë që ai më bëri për Pejgamberin, ishte: “Cila është shkalla shoqërore e familjes së tij ndër ju?” Iu përgjigja: “Ai i përket një familjeje të shquar ndër ne.” (Herakliu) pyeti më tej: “A e ka thënë ndonjëri nga ju më parë atë që thotë ai (pra, se është i Dërguar i Zotit)?” Iu përgjigja: “Jo.” Herakliu pyeti: “A ka qenë ndokush nga paraardhësit e tij mbret?” Iu përgjigja: “Jo.” Herakliu pyeti: “A e pasojnë atë njerëzit e lartë nga ju apo vegjëlia?” Iu përgjigja: “Është vegjëlia ajo që e pason.” Pyeti përsëri: “A shtohen apo pakësohen (pasuesit e tij)?” Iu përgjigja: “Përkundrazi shtohen.” Pastaj ai pyeti: “A ka ndonjë nga ata të cilët përqafojnë fenë e tij që më pas të pakënaqur ta braktisin fenë?” Thashë: “Jo.”
Herakliu tha: “A e keni akuzuar ndonjëherë për gënjeshtar para këtij pohimi të tij?” Iu përgjigja: “Jo.”
Herakliu tha: “A ka tradhtuar apo shkelur ndonjëherë marrëveshjet e tij?” Iu përgjigja: “Jo. Tani ne jemi në armëpushim me atë, por nuk e dimë se çdo të bëjë ai me të.” Nuk munda të gjej rast tjetër të them gjë kundër
tij, përveç asaj fjale. Herakliu pyeti:
“A keni luftuar me të?” Iu përgjigja: “Po.” Pastaj tha: “Cili ka qenë përfundimi i luftërave kundër tij?” Iu përgjigja: “Lufta mes nesh ka qenë e këmbyer, disa herë ka qenë ai fitues dhe disa herë ne.” Herakliu tha: “E çfarë ju urdhëron ai?” I thashë: “Ai na urdhëron të adhurojmë vetëm Allahun Një e të Vetëm dhe të mos i bëjmë Atij shokë, duke adhuruar tjetërkënd në vend të Tij apo përkrah Tij; të heqim dorë nga çfarë adhuronin baballarët tanë dhe na urdhëron për faljen e namazit, për drejtësi e për të folur drejt, për dëlirësi dhe për respekt me farefis.”
Pastaj Herakliu e urdhëroi përkthyesin të më thoshte në vazhdim: “Në të vërtetë, unë të pyeta për familjen e tij dhe ti përmende se ai vjen nga familjet më të mira. Zoti i zgjedh të dërguarit e Tij nga njerëzit dhe familjet më të nderura”.(4)
Të pyeta nëse ndokush tjetër mes jush ka pretenduar një gjë të tillë (profecinë) para tij dhe përgjigja qe mohuese. Po të kishte qenë përgjigjja
pohuese, do të mendoja se ai pason fjalët e paraardhësit të tij. Pastaj të pyeta nëse kishte qenë ndonjë nga paraardhësit e tij mbret dhe përgjigja qe mohuese. Po të kishte qenë përgjigja pohuese do të thosha se është njeri i cili kërkon mbretërinë e të parëve të vet. Pastaj të pyeta nëse ishte akuzuar ndonjëherë për gënjeshtra para se të nxirrte këtë pretendim (për pejgamberi) dhe përgjigja qe mohuese. Kështu që unë e kuptoj qartë se ai që nuk ka folur kurrë gënjeshtra ndaj njerëzve, nuk mundet që të gënjejë kurrë ndaj Allahut. Të pyeta nëse e ndjekin atë të pasurit apo të varfrit, ndërsa ti përmende se pasuesit e tij janë të varfrit. Dhe vërtet, gjithnjë janë ata pasuesit e të dërguarve. Pastaj të pyeta nëse ata shtohen apo pakësohen, ndërsa ti përmende se ata veçse shtohen. E tillë është çështja e imanit (besimit të vërtetë) derisa ai të plotësohet e të përmbushet në çdo pjesë të tij. Të pyeta nëse ndonjë prej atyre e braktis fenë e tij, pasi e ka përqafuar atë duke qenë i pakënaqur me të, ndërsa përgjigja jote qe mohuese. I tillë është besimi i vërtetë, kur ëmbëlsia e tij hyn në zemra dhe shkrihet plotësisht në to. Të pyeta nëse ka tradhtuar ndonjëherë dhe ti u përgjigje që jo. Vërtet kështu është: të Dërguarit nuk tradhtojnë kurrë. Pastaj të pyeta se çfarë ju urdhëron dhe ti përmende se ju urdhëron të adhuroni vetëm Allahun Një e të Vetëm dhe të mos i bashkoni gjë Atij në adhurim, jua ndalon adhurimin e idhujve; pastaj ju urdhëron të falni namazin, të flisni drejt dhe të jeni të dëlirë. Në qoftë se gjithë çfarë ke thënë është e vërtetë, atëherë shumë shpejt ai do ta pushtojë këtë vend që është nën këmbët e mia. Dhe unë e dija (nga Shkrimet e Para) se ai do të dilte, por nuk e dija se ai do të ishte prej jush dhe, nëse do të isha i sigurt për të shkuar tek ai, atëherë do të shkoja menjëherë për ta takuar e, po të gjendesha pranë tij, padyshim që do t’ia laja këmbët.”
Duke lexuar për sinqeritetin e Muhamedit a.s. historiani i njohur Tomas Karlajl do të shprehej: “Unë e dua Muhamedin a.s. për shkak të pastërtisë së natyrës së tij dhe të qenët të tij larg nga hipokrizia dhe shtirja. Ai ishte i pavarur në gjykimin dhe mendimin e tij. Ai nuk është mbështetur tek askush (përveç Zotit) dhe asnjë herë nuk ka pohuar për vete atë që nuk është.”(5)
Jetëshkrimi i Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, ka shumë dëshmi dhe prova që vërtetojnë sinqeritetin dhe besueshmërinë e Muhamedit a.s. dhe se ajo që ai ka thënë dhe vepruar është e vërtetë nga Zoti i plotfuqishëm, Krijuesi i gjithësisë.

______________________
1. Buhari, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
2. Kadir Misirogllu, Botëkuptimi Islam, Progresi, Shkodër 2008, f. 442.
3. Ky tregim është transmetuar në shumë libra të sunetit: Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Ahmedi; Shih: Sulltan Ahmed Kureshi, Letrat e Muhammedit a.s., Logos-A, Shkup Prishtinë Tiranë, 204, f. 109; Tregimi i mbretit romak Herakliut me Ebu Sufjanin, https://www.islamgjakova.net/artikulli. php.; Hadith Hirakl ve Ebu Sufjan, shih: https:// www.alukah.net/spotlight/0/124608/?fbclid=IwA R1RJY3LHSHGbOCsdGKh6qikIOtpcREU00sVr 0sd3pyJJuMS-wKeza2xEmg.
4. Dr. Mustafa Sibai, Profeti Muhamed – vlera dhe urtësi, SHB Nektari, Tiranë, 2005, f. 41.
5. Tomas Karlajl, shih: Dituria Islame, revistë mujore fetare, shkencore e kulturore, nr. 358, viti 34, shtator 2020 safer 1442, f. 43- 44.

 

Nga: Dr. Ajni Sinani