Është vetëm 32-vjeç, por Muhamed Meshiqi nga Tuzlla e Bosnjës dhe Hercegovinës flet plotë 56 gjuhë. Meshiq kur ishte vetëm 16-vjeç kishte ushtruar detyrën e këshilltarit komunal.
Ky i ri nga Tuzla, është me profesion avokat, studiues i mirë i gjuhës dhe letërsisë japoneze dhe asaj hebraike, ndërsa aktualisht ushtron detyrën e këshilltarit të presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, transmeton Telegrafi.
Është fitues i çmimit prestigjioz “Brainswork Make A Difference Award 2010”, që në gjuhën shqipe do të thotë fuqia e trurit bën ndryshimin.
Megjithatë, përveç këtyre titujve, ai njihet edhe si gjeni i gjuhëve të huaja, pasi është konfirmuar edhe zyrtarisht se ai flet 56 gjuhë, raporton Al Jazeera.
I pyetur nga gazetarët se si është e mundur që dikush t’i flasë 56 gjuhë, Muhamed është përgjigjur duke thënë se gjithçka është e mundur.
“E rëndësishme është të keni vullnet dhe dëshirë. Vullneti i fuqishëm i njeriut është një mrekulli – ai është ‘fajtori’ kryesor për sukseset tona. Bota në gjuhë tjera duket ndryshe dhe derisa i kuptoni këto mendime në gjuhë tjera, ju mund të krijoni një pasqyre krejt tjetër. Perspektiva është tjetër nëse një fjali e përktheni në disa gjuhë. Kontakti i parë me një gjuhë të huaj ka qenë kur fillova të komunikojë në gjuhën greke, kur si i vogël shkoja për pushime në atë vend. Aty më erdhi një moment interesant në kokë, që më inspiroi të vazhdoja të mësoja gjuhë tjera”, ka deklaruar Meshiq.
Gjeniu i gjuhëve thotë se e nevojshme është të gjendet një mënyrë për të zotëruar një gjuhë të huaj, por nëse njerëzit janë këmbëngulës në këtë, ai beson se suksesi është i pashmangshëm, transmeton Telegrafi.
Atij i nevojiten hiç më shumë se dy deri në tri javë që të mësojë gjërat elementare të një gjuhe të huaj me të cilat do të mund të komunikonte pa problem me dikë.
“Sa më shumë gjuhë të huaja që i flasim, aq më lehtë do ta kemi t’i mësojnë të tjerat, sepse gjuhët janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë ngjashmëri. Nga 365 ditë të vitit, unë i kaloj mbi 200 ditë në aeroplan. Gjithmonë udhëtoj për të ligjëruar nëpër seminare dhe trajnime të ndryshme. Por, nuk ankohem, sepse e kam kuptuar se duhet të jesh viktimë nëse dëshironi të arrini diçka”, ka shtuar Meshiq.