Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ndryshimi i orës: pse vuan trupi ynë dhe ç’duhet bërë?

Ndryshimi i orës: pse vuan trupi ynë dhe ç’duhet bërë?

Si të mbrojmë orën tonë biologjike nga pasojat e pagjumësisë dhe rënia e produktivitetit

Sot në mesnatë ndryshon ora. Kalohet nga ajo dimërore në atë verore. Dhe ardhja e orës verore, ngre pashmangshmërisht pyetjen nëse ky ndryshim është i dëmshëm për shëndetin tonë, pasi zhvendosja e akrepave një orë përpara nuk është një proces i thjeshtë dhe rrezikojmë ta paguajmë shtrenjtë atë orë gjumi të humbur.

Efektet e këtij gjesti mund të godasin si bumerang mendjen dhe trupin tonë ndonjëherë për javë të tëra, dhe sipas një ankete të Shoqatës Evropiane për Çrregullimin e Panikut (Eurodap), pasojat janë reale e të shumta.

Rreth 70 për qind e njerëzve raportojnë pagjumësi, ndërsa gati 90 per qind pohojnë se ndryshimi ndikon negativisht në mirëqenien e tyre fizike e mendore.

Problemi kryesor nuk është vetëm nata e parë, por periudha e përshtatjes së ritmit cirkadian, që është ora jonë e brendshme që menaxhon funekcionet ciklike.

Michele Terzaghi, neurofiziolog në Fondacionin Mondino në Itali, shpjegon se melatonina sintetizohet në errësirë për të nxitur gjumin. Por me orën verore dielli lind më shpejt duke e vështirësuar zgjimin, ndërsa drita e mbrëmjes e ngatërron trupin duke vonuar modalitetin e pushimit.

Më të prekurit janë të ashtuquajturit “bufët e natës”, të cilëve mund t’u duhen deri në 3 javë për t’u sinkronizuar, ndërkohë që mungesa e gjumit godet direkt produktivitetin dhe përqendrimin.

Një studim i vitit 2012 tregoi se të hënën pas ndryshimit të orës, njerëzit humbasin më shumë kohë duke lundruar në internet për argëtim sesa duke punuar. Madje studime të tjera raportojnë rritje të rasteve të vetëvrasjeve, duke dëshmuar se edhe një luhatje e vogël kronobiologjike, mund të jetë me pasoja fatale për personat më të ndjeshëm.

Për fat të mirë, ekzistojnë strategji praktike për ta zbutur këtë tranzicion dhe për të mbrojtur veten. Së pari, rekomandohet përshtatja graduale duke shkuar në shtrat 15-20 minuta më herët ditët para ndryshimit dhe duke u ekspozuar menjëherë pas zgjimit ndaj dritës natyrale për të rregulluar prodhimin e melatoninës.

Së dyti, duhet treguar kujdes me dietën duke shmangur kafeinën, alkoolin dhe vaktet e rënda në mbrëmje, si dhe duke evituar dremitjet e ditës gjatë fazës së përshtatjes për të mos prishur ciklin e natës.

Së treti, është thelbësore ruajtja e një rutine të qëndrueshme duke u zgjuar në të njëjtën orë çdo ditë, pasi për stabilizimin e sistemit konsistenca është më e rëndësishme se sasia totale e gjumit.

Së katërti, aktiviteti i rregullt fizik gjatë ditës e lodh trupin natyrshëm dhe përmirëson cilësinë e gjumit, duke ndihmuar trurin të pranojë më shpejt regjimin e ri. Megjithëse çajrat bimorë mund të ofrojnë një ndihmë të lehtë, çelësi mbetet disiplina e rutinës për të ruajtur ekuilibrin tonë të brendshëm përballë këtij ndryshimi vjetor. /tesheshi