“Në rast të ndonjë sulmi kibernetik mund të përdoret neni 5 i NATO-s”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se në rast të ndonjë sulmi kibernetik ndaj një vendi anëtar mund të përdoret neni 5 i Aleancës, transmeton Anadolu Agency (AA). 

“Bota kibernetike është fusha e re e betejës. Përgatitja e NATO-s për botën kibernetike me burime të mjaftueshme, trajnim dhe pajisje është përparësia jonë kryesore”, thekson Stoltenberg në një artikull për revistën britanike “Prospect”. 

Ai tha se përgatitjet në këtë drejtim do të intensifikohen në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Londër në dhjetor dhe do të vazhdojnë edhe pas tij. “Vetëm me një klikim mund të përhapet virus kibernetik në botë, por për të ndaluar katastrofën që do të shkaktojë kjo nevojitet një përpjekje globale”, tha Stoltenberg.

“Në rast të ndonjë sulmi serioz kibernetik mund të përdoret neni 5 i marrëveshjes sonë themeluese për NATO-n. Ky është angazhimi ynë i përbashkët për të konsideruar sulmin ndaj një aleati sikur ai është kryer kundër të gjithëve. Ne e kemi përkufizuar botën kibernetike si një zonë ku NATO mund të operojë dhe të mbrohet në mënyrë efektive, si në ajër, në tokë dhe në det. Kjo do të thotë se ne do të parandalojmë çdo sulm ndaj aleatëve tanë, qoftë në botën fizike apo virtuale, dhe se do të mbrohemi kundër tij”, tha Stoltenberg. 

Sipas tij, NATO do të luajë gjithashtu rolin e saj në këtë fushë dhe po i përshtatet këtij realiteti të ri.

Stoltenberg ka njoftuar se për këtë qëllim në qytetin Mons të Belgjikës kanë krijuar “Qendrën e re të operacioneve kibernetike”, dhe se ky hap drejt rritjes së ndërgjegjësimit kibernetik të komandantëve do të pasohet nga përdorimi i aftësive kombëtare kibernetike të vendeve anëtare në detyrat dhe operacionet e Aleancës.

– Bashkëpunimi me BE-në

“Sa më shumë informacione kemi, aq më mirë do të jemi të përgatitur. Duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian (BE), duke shkëmbyer njohuritë tona, duke forcuar trajnimin tonë dhe duke praktikuar së bashku, ne duhet të sigurohemi se kemi mjetet më të fuqishme për t’iu përgjigjur kërcënimit kibernetik në rritje”, potencoi kreu i NATO-s. 

Stoltenberg tha se gjatë vjeshtës NATO do të kryejë stërvitjen kibernetike më të madhe në botë, ku gjithashtu do të jetë i përfshirë me detyrë edhe personeli i BE-së.