Nën dyshimin se ishte i dehur, arrestohet një pilot i “American Airlines”

– Një pilot i kompanisë ajrore amerikane “American Airlines” është arrestuar në aeroportin britanik në Manchester nën dyshimin se ka qenë i dehur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia e Manchester-it konfirmoi se “mori një raport se një pilot i linjës ajrore të enjten në mëngjes mund të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit” në aeroportin në Anglinë veriperëndimore. Zyrtarët arrestuan 62-vjeçarin nën dyshimin e kryerjes së funksionit në avion në gjendje që tejkalon kufirin e parashikuar të alkoolit.

Ata theksojnë se personi në fjalë është liruar me kusht. Nga “American Airlines” konfirmuan se është arrestuar një punonjës i tyre.

Më tej theksuan se është anuluar fluturimi AA735 në Philadelphia, ndërsa pasagjerët janë transferuar në fluturime tjera.

Nga aviokompoana shtuan se plotësisht bashkëpunojnë me organet lokale policore lidhur me incidentin.