“Nëse SHBA ndalon importin e naftës nga Venezuela, hiperinflacioni i pashmangshëm”

Skenari më i keq i Venezuelës do të ishte ndalimi amerikan i importeve të naftës së papërpunuar dhe produkteve të Venezuelës, thotë Igor Hernandez, profesor i Qendrës Ndërkombëtare për Energjinë dhe Mjedisin në “Instituto de Estudios Superiores de Administracion”, një shkollë e menaxhimit në Venezuelë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), importuesi më i madh i naftës së papërpunuar të Venezuelës, blen rreth 750 mijë fuçi naftë bruto në ditë nga Venezuela, ekonomia e së cilës është kryesisht e varur nga të ardhurat e naftës.

“Duke qenë se SHBA është burimi kryesor i shitjeve me para të gatshme për Venezuelën, skenari më i keq do të sillte mungesa të niveleve të paparashikuara asnjëherë më parë dhe me siguri do të shkaktonte hiperinflacion dhe skenare të borxhit tashmë të diskutuara”, tha Igor Hernandez, në një intervistë për Anadolu Agency (AA).

Hernandez theksoi se edhe pse situata në muajt e ardhshëm është shumë e vështirë të parashikohet, mungesa e një zgjidhjeje politike në vend ka gjasa të rezultojë në një krizë më katastrofike ekonomike.

Duke nënvizuar se administrata Trump ka llogaritur vendosjen e kufizimeve mbi eksportet e naftës në Venezuelë, ai tha se një ndalim i tillë mbi eksportet, që përdoren pjesërisht për të holluar naftën e papërpunuar të rëndë, do të ndikonte në Kompaninë Kombëtare të Naftës të Venezuelës, PDVSA, e cila do të detyrohej të kërkojë burim nga tregjet e tjera jashtë SHBA-ve për procesin e hollimit.

Ai tha se përveç rënies së aktivitetit ekonomik këtë vit, tashmë ka një rritje të çmimeve, të cilat jo vetëm që pasqyrojnë rritjen e shpejtë të furizimit monetar të përdorur për të financuar deficitin fiskal, por edhe rënien e kërkesës për para, veçanërisht pas 30 korrikut (data e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese), duke pasur parasysh pritjet gjithnjë e më negative lidhur me ndryshimin në politikën ekonomike.

“Problemet në prodhimin e naftës do të vazhdojnë të zvarrisin eksportet e Venezuelës, ndërsa pagesat e ardhshme të borxhit janë në rrezik serioz, madje edhe pa sanksione të gjera nga SHBA-të”, shpjegoi ai.

Zgjedhjet e qeverisë së Venezuelës më 30 korrik për zgjedhjen e Asamblesë së re Kushtetuese për të zëvendësuar organin ligjvënës të kontrolluar nga opozita, Kuvendin kombëtar, do të forconte bastionin e qeverisë, duke ulur në të njëjtën kohë fuqinë e opozitës.

Themelimi i Asamblesë mund të intensifikojë krizën politike në Venezuelë, të nxitur nga protestat që vazhdojnë prej katër muajsh, të cilat kanë lënë të paktën 120 të vdekur.

Të paktën 40 liderë ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje presidentit Nicolas Maduro të mos aktivizojë asamblenë e re, duke thënë se ata nuk do ta njohin atë.

Vatikani ka kërkuar nga Maduro ta anulojë sesionin e parë të Asamblesë, duke argumentuar se organi në fjalë do të rriste “klimën e tensionit” në Venezuelë.

Asambleja kontroverse po sfidohet gjithashtu nga akuza për mashtrim gjatë votimit.

Smartmatic, firma britanike e teknologjisë e kontraktuar për të menaxhuar fletët e votimit, tha të mërkurën se shifra prej 8,1 milionë votash është fryrë për të paktën një milion.

Kryeprokurorja e vendit, Luisa Ortega Diaz, më 3 gusht njoftoi së do të pasojë hetim.

Në mënyrë të papritur, qeveria ktheu kreun e opozitës Antonio Ledezma në arrest shtëpiak, pasi e dërgoi të martën përsëri në burg për nxitjen e protestave ndaj Asamblesë Kushtetuese.

Udhëheqësi tjetër i opozitës, Leopoldo Lopez, i cili u dërgua gjithashtu në burg nga arresti shtëpiak, nuk është liruar.

Në muajin prill, Maduro ka thënë se SHBA-të i kanë dhënë ‘dritën jeshile’ grusht shtetit në Venezuelë dhe se SHBA-të dhe opozita po punojnë së bashku për të nisur kryengritjen.

Marrëdhëniet energjetike SHBA-Venezuelë

Sipas të dhënave të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) në fund të vitit 2015, Venezuela ka rezervat më të dëshmuara të naftës së papërpunuar në botë, me mbi 300 miliardë fuçi.

Përveç tregtisë së naftës së papërpunuar, sanksionet mbi importet e naftës së lehtë të papërpunuar nga SHBA-të në Venezuelë do të dëmtonin tutje të ardhurat në tregtinë e naftës.

PDVSA përpunon dhe hollon naftën e papërupunuar para se ta shesë në rafineri.

Nëse vendi nuk është në gjendje të sigurojë furnizime nga SHBA-të, të cilat e furnizojnë produktin në vetëm pesë ditë, Venezuela do të detyrohet të kërkojë burime shumë më larg, si në Libi, Algjeri dhe Nigeri, gjë që do të rriste koston e transportit dhe në mënyrë të pashmangshme edhe shpenzimet e importit për Venezuelën.

Sipas ekspertëve, sigurimi i ushqimit është bërë prioriteti numër një i popullsisë së Venezuelës.

Pas zgjedhjeve, mediat lokale dhe rrjetet sociale kanë folur për një kryengritje të mundshme ushtarake kundër qeverisë.

Të dielën, kundërshtarët e presidentit Maduro nisën një sulm mbi një bazë ushtarake në të cilën u vranë dy sulmues, ndërsa tetë të tjerë u kapën.