Nesër ceremonia mortore për presidentin e ndjerë iranian Raisi

Ceremonia mortore për presidentin e ndjerë të Iranit Ebrahim Raisi dhe ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian do të mbahet të martën në qytetin veriperëndimor Tabriz, thanë mediat lokale, transmeton Anadolu.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA tha se Raisi, Amir-Abdollahian dhe zyrtarë të tjerë të lartë që humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit të dielën do të varrosen në Qom në Iranin qendror pas ceremonisë në Tabriz.

Pas një operacioni kërkimi gjatë natës i penguar nga moti i keq, Raisi, Amir-Abdollahian dhe zyrtarë të tjerë të lartë u deklaruan të vdekur sot në mëngjes.

Dhjetëra ekipe shpëtimi u dërguan në zonën malore në provincën veriperëndimore iraniane të Azerbajxhanit Lindor, ku të dielën pasdite ndodhi aksidenti.

Sipas Kushtetutës së Iranit, nënpresidenti i parë Mohammad Mokhber do të marrë kompetencat e presidencës, ndërsa zgjedhjet do të mbahen brenda 50 ditëve.