Nga ndryshimi i drejtimit të kiblesë deri te transformimi i zemrave

Dr. Besim Arbanashi

Historia e ymetit islam ka shënuar ngjarje, të cilat kanë pas ndikim në rrjedhën dhe zgjerimin e tij.
Janë ngjarje këto, që ngërthejnë në vete dimensione të cilat shtruan rrugën e këtij ymeti të lavdishëm, për t’qenë në ballë të popujve dhe civilizimeve me shekuj të tërë.
Në mesin e këtyre ngjarjeve të lavdishme, një vend të rëndësishëm e zë edhe ndodhia e ndryshimit të kiblesë, të cilën e regjistroi Kurani famëlartë, ashtu siç e gjejmë të trajtuar edhe në hadithet pejgamberike.
Pas unifikimit të shoqërisë së re medinase dhe vendosjes së sistemit të ri social, Zoti deshi që këtij rendi të ri t’i bëhej edhe një diferencim, me rastin e transformimit të kiblesë, duke zbritur nga laretësia e qiejve engjëllin Xhibril me shpalljen e cila urdhëronte myslimanët që në lutjet e tyre ditore të merrnin drejtim të ri, pasi që deri tani për gjashtëmbëdhjetë muaj radhazi ishin falur në drejtim të Xhamisë Aksa: “…Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë.” (El Bekare: 144).
Kjo ngjarje qe si përvojë dhe sprovim për të gjithë:
“A menduan njerëzit të thonë: Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” (Ankebutë: 2).
Për besimtarët e vërtetë, bindja dhe dorëzimi ndaj urdhërave të Allahut nënkuptonte obligim, madje edhe atëherë kur nuk kuptohej urtësia e urdhëresave: “…E Kiblen nga e cila ti u drejtove nuk e bëmë për tjetër, vetëm se për të provuar atë që shkon pas të dërguarit, nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë vështirë (për disa), por jo edhe për ata që All-llahu i drejtoi…” (El Bekare: 143).
Ndërsa shpifje e etiketime filluan të qarkullonin nga ana e atyre për të cilët Pejgamberi a.s. u njoftua se ata nuk do të ndaleshin “…deri sa ta pasosh fenë e tyre…” , Zoti i Madhërishëm përforcoi zemrat e besimtarëve, kur realizoi njërën nga mrekullitë, duke njoftuar paraprakisht rreth asaj se çfarë do të thonin mendjelehtët pas ndrrimit të kiblesë:
“Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: “Çka i ktheu ata (muslimanët) prej kibles (drejtimit) në të cilin ishin ata (Kudsi)? Thuaj: “Të All-llahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do.” (El Bekare: 142).
Nga një persiatje nëpër ajetet kuranore, të cilat e trajtojnë ndrrimin e kiblesë, arrijmë të kuptojmë dimensionet e kësaj ngjarjeje madhështore, në mesin e të cilave veçojmë:
1. Dimensioni fetaro-imanorë i ngjarjes: konsiston veç tjerash në përforcimin e zemrave të besimtarëve në fe, e po ashtu në unifikimin e radhëve të myslimanëve si një trup i vetëm. Se misteri i fuqisë fshihej pikërisht tek unifikimi, dhe se ky ymet ishte ymeti më i dobishëm i ardhur ndonjë herë:
“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun…” (Ali Imran: 110).
Nga shembujt që dëshmojnë rolin e kësaj ngjarjeje në unifikimin e lidhjeve vëllazërorë mes besimtarëve është edhe shqetësimi i sahabëve për gjendjen e të vdekurve nga të afërmit e tyre, të cilët në të gjallë të tyre ishin falur në drejtimin e vjetër. Hall këtë të cilin e zgjidhi vet Kurani: “…All-llahu nuk është që t’ua humbë besimin tuaj…” (El Bekare: 143).
2. Dimensioni historik i ndodhisë së nryshimit të kiblesë: ka të bëj me ndërlidhjen e zemrave të myslimanëve me trashëgimtarin e fesë së pastërt – hazreti Ibrahimin a.s., i cili edhe i pat ngritur më herët themelet e kiblesë së re.
3. Dimensioni politiko-strategjik i ngjarjes së transformimit të kiblesë konsiston në faktin se kjo ngjarje do ta kthejë gadishullin arabik në bosht të ngjarjeve globale.
4. Dimensioni ushtarak: Ngjarja e ndryshimit të kiblesë, do të jet pararendëse e ngjarjes së çlirimit të Mekes.
5. Dimensioni i të menduarit vizionar dhe lidhja e zemrave me parime e jo me objekte e hapësira:
– të menduar përtej kufinjëve gruporë e gjeografik;
– synimi i më të lartës, në mesin e dy gjërave me vlerë: vlera e faljes së namazit në Mesxhidi Haram është më e madhe se sa në Mesxhidi Aksa për qindar herë.
– se përveç besimit në Zotin, shumëçka tjetër në jetë mbetet relative
– se e shenjtë është vetëm ajo që Zoti e ka bër të tillë
Ndrrimi i kiblesë na fton kah transformimi i zemrave tona, nga gjendje jo të mira drejt gjendjeve të shëndosha e me vlerë:
1. Transformim i zemrave nga pesimizmi drejt shpresës;
2. Nga të menduarit e ngushtë klanor dhe parulla ‘unë jam e vërteta’ drejt unitetit dhe parullës: ‘edhe ne jemi pjesë e së vërtetës’;
3. Nga përtacia dhe mospuna drejt angazhimit dhe prodhimtarisë;
4. Nga çnjerzorja drejt ‘insanllëkut’ dhe moralit;
5. Nga mëkatimi drejt nënshtrimit ndaj urdhërave të Zotit.

Nga: Dr. Besim Arbanashi