Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se nga sot ka nisur zbatimi i sistemit për sanksionim automatik të shkeljeve në komunikacion, i njohur si “Qytet i Sigurt” (Safe City), respektivisht në territorin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, si dhe në korridoret 8 dhe 10, transmeton Anadolu.
Në fazën e parë, sistemi do të detektojë katër lloje shkeljesh, përkatësisht parkim të paligjshëm, tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim semafori në dritë të kuqe dhe drejtim të automjetit me leje qarkullimi të skaduar.
Shkeljet do të regjistrohen automatikisht përmes kamerave dhe do të pasohen me gjoba, pa paralajmërime siç ishte deri dje gjatë fazës së testimit të sistemit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se qëllimi i sistemit nuk është ndëshkimi financiar i qytetarëve, por rritja e sigurisë rrugore dhe parandalimi i aksidenteve me pasoja fatale.
Toshkovski po ashtu njoftoi se është miratuar një rregullore e re që përcakton pragje më të larta të tolerancës për shpejtësinë, në varësi të kufizimit të lejuar në rrugë.
Sipas rregullores së re, për shpejtësi deri në 50 kilometra në orë (km/h) toleranca mbetet 6 km/h, ndërsa për shpejtësi nga 50 deri në 100 km/h toleranca rritet në 9 km/h. Për kufizimet mbi 100 km/h, toleranca arrin deri në 12 km/h, pas së cilës shkelja do të sanksionohet automatikisht.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme theksuan se “Qytet i Sigurt” është një nga investimet më të rëndësishme në sigurinë rrugore në dekadat e fundit dhe se sistemi synon drejtuesit që shkelin rregullat me vetëdije, ndërsa nuk penalizon shoferët e kujdesshëm. Sipas autoriteteve, kamerat nuk diskriminojnë dhe çdo shkelje trajtohet në mënyrë të barabartë.



