Një lutje për ty – laja duart nënës sate

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Diplomoi me notë të lartë, ishte i kënaqur me suksesin e arritur dhe ishte i sigurt se e pret një karrierë e mirë. U paraqit në një firmë dhe shkoi në intervistë me drejtorin gjeneral. Ai i shikoi dokumentet dhe filloi me pyetjet.

Drejtori: – A ke pasur bursë gjatë studimeve?

Djaloshi: – Jo, kurrfarë.

Drejtori: – A i ka paguar babai studimet tua?

Djaloshi: – Jo, babai më ka vdekur kur isha njëvjeçar, por nëna më ka shkolluar.

Drejtori: – Ku është e punësuar nëna yte?

Djaloshi: – Nuk është e punësuar, por qëndron në shtëpi dhe i lan rrobat e njerëzve tjerë.

Drejtori pastaj kërkoi që djaloshi t’ia tregonte duart e tij. Kur ia tregoi, ato ishin të bardha, të buta.

Drejtori: – A i ke ndihmuar ndonjëherë nënës sate në larjen e rrobave?

Djaloshi: – Jo, ajo nuk më ka lejuar, vazhdimisht më thoshte vetëm të mësoj.

Drejtori: – Mirë, shiko. E kam për ty një lutje të vogël. Të lutem që të shkosh në shtëpi dhe t’ia lash duart nënës sate!

Djaloshi në fillim u hutua, por në pyetje ishte puna dhe karriera e tij. Shkoi në shtëpi dhe ia shpjegoi nënës kërkesën e drejtorit dhe e luti që t’ia lajë duart asaj.

Kur dëgjoi për punë, nëna ishte gëzuar por u ndje e çuditur për kërkesën e drejtorit, por prapë pranoi që djali t’ia lajë duart. Mori një enë dhe filloi t’ia lajë duart nënës. Derisa po ia lante, filloi të qajë. Vetëm tani për herë të parë në jetë i pa në çfarë gjendje ishin duart e nënës. Ishin të çara, lëkura ishte e vrazhdë, e ashpër, e ënjtur . . . Qante si fëmi.

Vetëm tani e kuptoi djaloshi që këto dy duar të nënës e kanë ushqyer dhe shkolluar. Kur përfundoi larjen e duarve, e puthi nënën në ballë dhe i ndihmoi në larjen e rrobave të myshterive.

Të nesërmen me sy të përlotur u paraqit tek drejtori dhe i tregoi të gjitha që i kishin ndodhur. Drejtori e pyeti se çka ka mësuar nga gjithë kjo, ndërsa djaloshi u përgjigj: – Kam mësuar sa vijon:

Kam kuptuar kuptimin e vërtetë të fjalës “falënderim”;
Sikur mos të ishte nëna nuk do të arrija ku jam tani;
Kam kuptuar sesa rëndë është të bëhen disa punë;
Kam kuptuar rëndësinë e familjes;
Kam kuptuar se asgjë nuk arrihet pa sakrificë.

Drejtori buzëqeshi dhe tha: – Kësi punëtori e kam kërkuar, i cili di të çmojë (vlerësojë) punën dhe mundin dhe i gatshëm t’u ndihmojë tjerëve.

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)