OBI dënon sulmin e Izraelit në Bregun Perëndimor ku u vranë 6 persona

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka dënuar ashpër sulmin e Izraelit në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor nën pushtim ku u vranë gjashtë palestinezë, transmeton Anadolu Agency (AA).

OBI përmes një reagimi me shkrim ka reaguar ndaj bastisjes që forcat izraelite kryen në orët e natës në Nablus.

Ky sulm është një “krim” ashtu si ata të mëparshmit, thuhet në deklaratën ku theksohet se “Sekretariati i përgjithshëm i OBI-t, dënon fuqishëm sulmin barbar të Izraelit i cili shkaktoi martirizimin e 6 palestinezëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve”.

“Ndaj Izraelit duhet të kërkohet llogari lidhur me këtë ngjarje e cila është një prej sulmeve ushtarake të pafundme kundër popullit, territorit dhe vendeve të shenjta të Palestinës”, thuhet në deklaratën ku Izraeli mbahet përgjegjës për pasojat e krimeve kundrejt palestinezëve.

Gjithashtu në deklaratë komunitetit ndërkombëtar i bëhet thirrje për mbrojtjen e popullit palestinez që ndodhet nën sulmet ushtarake të Izraelit.

Ministria palestineze e Shëndetësisë kishte deklaruar se në operacionin e ndërmarrë nga ushtarët izraelitë në qytetin Nablus kanë humbur jetën gjashtë palestinezë dhe janë plagosur 33 të tjerë.