Organizata për Bashkëpunim Islamik (OBI) dënoi ashpër të martën sulmin e ushtrisë izraelite ndaj anijes “Madeleine”, e cila po përpiqej të thyente bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës.
Në një deklaratë për shtyp, OBI e cilësoi sulmin si një “shkelje flagrante dhe akt tjetër të terrorizmit shtetëror nga Izraeli, si pushtues”, duke theksuar se në bordin e anijes ndodheshin figura politike dhe humanitare që u “rrëmbyen” nga forcat izraelite.
Organizata përshëndeti përpjekjet humanitare dhe nismat ndërkombëtare për solidaritet me popullin palestinez, dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të aktivistëve ndërkombëtarë si dhe mbrojtjen e punonjësve humanitarë, mjekësorë dhe të medias.
Në deklaratë u nënvizua edhe nevoja për të garantuar hyrjen e vazhdueshme dhe të mjaftueshme të ndihmave humanitare në Gaza, duke paralajmëruar për krizën e thellë humanitare që po zhvillohet si pasojë e bllokadës.
OBI përsëriti thirrjen drejtuar aktorëve ndërkombëtarë për të marrë përgjegjësi dhe për të detyruar Izraelin të ndalë krimet kundër njerëzimit, të cilat përfshijnë, sipas saj, gjenocid, spastrim etnik, shkatërrim, urie dhe bllokadë sistematike ndaj Gazës. /mesazhi





