OBSH apelon për 147.5 milionë dollarë mbështetje mjekësore për ukrainasit

Dr. Jarno Habicht

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për ndihmë në vlerë prej 147.5 milionë dollarë amerikanë për të ofruar shërbime shëndetësore për civilët në Ukrainë dhe për refugjatët ukrainas që u strehuan në vendet fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, përfaqësuesi i OBSH-së në Ukrainë, Dr. Jarno Habicht, vlerësoi gjendjen e fundit të shërbimeve shëndetësore në Ukrainë.

Habicht tha se që nga 2 qershori numri i sulmeve nga trupat ruse në qendrat shëndetësore në Ukrainë u rrit në 269, nga të cilat 76 persona humbën jetën dhe 59 persona u plagosën.

Duke theksuar se disa ndërtesa shëndetësore u shkatërruan si rezultat i sulmeve, Habicht tha se shumë spitale dhe klinika në zonat e konfliktit nuk mund të ofrojnë shërbime shëndetësore për ata që kanë nevojë.

Ai theksoi se lufta shkaktoi dëme të rënda psikologjike për popullin ukrainas, si dhe njoftoi se OBSH ka rritur numrin e personelit në vend dhe ka ofruar 543 tonë pajisje mjekësore në rajonet e prekura nga konfliktet për të shëruar plagët e ukrainasve.

Duke theksuar nevojën për të rivendosur shërbimet shëndetësore të dëmtuara nga lufta në Ukrainë, Habicht njoftoi se OBSH ka rritur thirrjen e saj aktuale të donacioneve dhe ka nisur një fushatë dhurimi prej 147.5 milionë dollarësh për ukrainasit.

Habicht po ashtu theksoi se 80 milionë dollarë nga kjo shifër do të përdoren për ndihmë mjekësore për civilët brenda vendit dhe 67.5 milionë dollarë për ndihmë mjekësore për refugjatët ukrainas që u strehuan në vendet fqinje. /aa