OBSH-ja paralajmëron për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve në Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ngriti alarmin për rrezik nga sëmundje të shfrenuara në Gaza teksa vazhdojnë rrethimi dhe sulmet e Izraelit, transmeton Anadolu.

“Ndërsa numri i të vdekurve dhe të plagosurve në Gaza vazhdon të rritet për shkak të armiqësive të intensifikuara, mbingarkimi intensiv dhe sistemet e ndërprera të shëndetit, ujit dhe kanalizimeve paraqesin një rrezik shtesë: përhapjen e shpejtë të sëmundjeve infektive”, shkroi agjencia shëndetësore e OKB-së në rrjetin social “X”.

Tendenca shqetësuese po shfaqen tashmë, vuri në dukje OBSH-ja, duke përfshirë diarrenë, “pasi njerëzit konsumojnë ujë të kontaminuar”.

“Situata është veçanërisht shqetësuese për pothuajse 1,5 milion njerëz të zhvendosur në gjithë Gazën, veçanërisht ata që jetojnë në strehimore të mbipopulluara rëndë me qasje të dobët në objektet higjienike dhe ujë të sigurt, duke rritur rrezikun e transmetimit të sëmundjeve infektive”, tha gjithashtu OBSH-ja.

Agjencia nënvizoi mbi 33.000 raste të diarresë, mbi 54.800 raste të infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe mijëra raste të tjera të sëmundjeve që nga mesi i tetorit.

“Aktivitetet e ndërprera të vaksinimit rutinë, si dhe mungesa e ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve ngjitëse, rrisin më tej rrezikun e përhapjes së përshpejtuar të sëmundjeve”, paralajmëroi OBSH-ja, duke shtuar se parandalimi bazë i infeksionit është bërë i pamundur në mjediset shëndetësore për shkak të rrethimit dhe konfliktit.

“OBSH-ja bën thirrje për qasje urgjente dhe të përshpejtuar për ndihmën humanitare – duke përfshirë karburantin, ujin, ushqimin dhe furnizimet mjekësore – në gjithë Rripin e Gazës”, tha agjencia, duke u bërë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese që “të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile, duke përfshirë kujdesin shëndetësor”.