OBSH: Mungesa e aktivitetit fizik ka shtuar ndjeshëm sëmundjet kronike

Miliona njerëz në mbarë botën nuk bëjnë mjaftueshëm ushtrime fizike dhe kjo mund të ketë pasoja shkatërruese në vitet e ardhshme, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

”Në periudhën 10-vjeçare nga viti 2020 deri në vitin 2030, rreth 500 milionë më shumë njerëz në mbarë botën janë në rrezik të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, obezitetit, diabetit, depresionit, demencës dhe kushteve të tjera për shkak të mungesës së ushtrimeve fizike”, raportoi OBSH.

Organizata rekomandon të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë për të rriturit për të parandaluar sëmundjet.

Më shumë se një e katërta (27.5%) e popullsisë së botës nuk e arrin këtë objektiv.

Problemi është dyfishuar në vendet me të ardhura të larta (36.8%) sesa në vendet me të ardhura të ulëta (16.2%).

”Nuk është e nevojshme të angazhoheni në sporte të tilla si vrapimi ose klasa fitnesi në klube ose shoqata për të qëndruar në formë fizike. Çiklizmi dhe ecja e shpejtë gjithashtu kontribuojnë në aftësinë fizike”, theksoi OBSH.

Në disa vende, ka barriera kulturore që i pengojnë gratë të ushtrojnë jashtë, por njerëzit mund të qëndrojnë në formë edhe në shtëpi, të tilla si ngjitja e shkallëve, loja me fëmijët ose kryerja e punëve të shtëpisë. /atsh