OBSH: Shkalla e vdekjes nga COVID-19, dhjetë herë më e madhe se gripi

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi se vlerësohet që shkalla e vdekjes nga koronavirusi i ri (COVID-19) është 10 herë më e madhe se sa nga gripi (influenza), raporton Anadolu Agency (AA).

Ghebreyesus, iu drejtua shefave të misionit diplomatik, në selinë e OBSH-së në Gjenevë të Zvicrës.

Ai duke rikujtuar se OBSH më 5 shkurt për të mbështetur luftën kundër COVID-19 në vende dhe rajone të ndryshme ka filluar Planin për Përgatitje Strategjike dhe Intervenim, falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e tyre.

Ghebreyesus tha se vendet anëtare kanë shprehur një përkushtim prej 800 milionë dollarë, ndërsa njoftoi se një pjesë e këtyre pareve kanë arritur në OBSH.

Ai më tutje, duke rikujtuar se kanë kaluar 100 ditë që nga dita kur Kina ka njoftuar për rastin e parë me COVID-19, potencoi se për shkak të përmasave globale, sistemet shëndetësore të vendeve janë stërngarkuar dhe se është prishur ekonomia botërore.

“Vlerësohet se shkalla e vdekjes së COVID-19, është 10 herë më e lartë se gripi (influenza)”, u shpreh ai.