OKB: Duhet të përfundojnë kufizimet për hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë thirrje për heqjen e kufizimeve për hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, i cili po shtyhet me shpejtësi drejt urisë për shkak të sulmeve izraelite, transmeton Anadolu.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në postimin e bërë në X, bëri një vlerësim të situatës humanitare në Gaza, e cila është në rrezik të urisë për shkak të sulmeve izraelite.

Në postim thuhet se autokolonat ushqimore të UNRWA-së u penguan edhe një herë të arrijnë në veri të Gazës.

Zyrtar i Komunikimit Rajonal të OKB-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, Jonathan Fowler tha se Gaza veriore është epiqendra e urisë në rajon, duke kërkuar që materialet ushqimore duhen urgjentisht të hyjnë në rajon.

Një katastrofë e madhe humanitare po përjetohet në Rripin e Gazës, me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, ku ushtria izraelite që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ka vazhduar sulmet e saj duke vënë në objektiv vendbanimet civile, spitalet, shkollat ​​dhe strehimoret ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur.

Që nga 7 tetori e deri më tani në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 32.552 palestinezë ndërsa janë plagosur 74.980 persona.