OKB-ja i bën thirrje Izraelit të hetojë përdorimin e tepruar të forcës kundër civilëve palestinezë

Tor Wennesland

Kombet e Bashkuara (OKB) u kanë bërë thirrje autoriteteve izraelite që të hetojnë përdorimin e tepruar të forcës nga forcat e sigurisë kundër civilëve palestinezë, raporton Anadolu Agency (AA).

Tor Wennesland, i dërguari i posaçëm i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, tha në një konferencë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se dhuna në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor hodhi një hije mbi periudhën e shenjtë për muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë.

“Dhuna, provokimet dhe nxitjet duhet të ndalen menjëherë dhe të dënohen publikisht. Udhëheqësit politikë, fetarë dhe civilë duhet të bëjnë pjesën e tyre për të ulur tensionet dhe për të ruajtur statusin e vendeve të shenjta”, tha Wennesland.

Ai tha se përdorimi i tepruar i forcës nga forcat izraelite të sigurisë kundër civilëve ishte shqetësues, duke shtuar se 23 palestinezë, duke përfshirë katër fëmijë, kishin vdekur si rezultat i ndërhyrjes së forcave izraelite të sigurisë.

“Veçanërisht është e tmerrshme që fëmijët vazhdojnë të vdesin dhe të plagosen. Unë u bëj thirrje autoriteteve izraelite të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës dhe transparent për çdo përdorim të mundshëm të tepruar të forcës”, tha Wennesland.

Autoritetet izraelite dhe palestineze kanë bërë akuza të ndërsjella në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për përshkallëzimin e tensioneve dhe dhunës. /aa