Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se familjet jemenase përpiqen të mbijetojnë duke ngrënë gjethe të pemëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga llogaria e saj në Twitter, WFP tërhoqi vëmendjen se në Jemen ku konfliktet dhe rrënimi ekonomik sa vjen e ashpërsohen, ka filluar të përhapet në mbarë vendin edhe uria.
Familjet në disa nga rajonet më të prekura nga lufta, si në zonën Hajjah në veriperëndim të vendit, u drejtohen masave të pashpresa për të mbijetuar duke ngrënë si ushqim gjethet e pemëve.
WFP në një deklaratë më 22 dhjetor ka njoftuar se që nga janari ndihmat ushqimore të ofruara për Jemenin do të pakësoheshin për shkak të mungesës së financimeve.
Në Jemen që nga shtatori i vitit 2014, Huthit e mbështetur nga Irani mbajnë nën kontroll disa rajone të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Ndërsa forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite që nga marsi i vitit 2015 e deri më tani ofrojnë mbështetje për qeverinë jemenase kundër Huthive.
Sipas raporteve të OKB-së, që nga shpërthimi i luftës e deri në fund të vitit 2021, lufta në Jemen në mënyrë direkte dhe indirekte ka shkaktuar vdekjen 377 mijë njerëzve.
Në Jemenin i cili ndodhet në mesin e vendeve më të varfra në botë, kriza humanitare që rritet për shkak të luftës së brendshme ka arritur në përmasa të tmerrshme. /aa



