OKB: Komuniteti ndërkombëtar i pamjaftueshëm për të siguruar paqen në botë

Filippo Grandi

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatët, Filippo Grandi, tha se pamjaftueshmëria në rritje e komunitetit ndërkombëtar për rivendosjen e paqes në vendet si Jemeni, Libia dhe Etiopia, i ka detyruar organizatat humanitare dhe të refugjatëve që të punojnë më shumë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Grandi u shpreh se me mungesën e “zgjidhjeve politike që duken gjithnjë e më të pakta dhe larg njëra-tjetrës” pasojat mbi njerëzit e prekur nga konfliktet e dhunshme “vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të rënda”. Ai vuri në dukje se komuniteti ndërkombëtar ka mbetur i pamjaftueshëm në çështjen e sigurimit të paqes në botë.

Ai tha se Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizatat e tjera në përpjekje për të siguruar mbështetje humanitare, strehim dhe siguri po interesohen për rreth 84 milionë refugjatë që kanë kaluar kufijtë apo që janë zhvendosur nga vendet e tyre.

“Nuk jam shumë optimist për çështjen e përparimit në kërkimin e bashkëpunimit dhe zgjidhjeve”

Në një takim me përfaqësues të OKB-së nga Gjeneva ku donatorët kanë dhuruar më shumë se 1 miliard dollarë për të mbështetur punimet e KS-OKB-së në vitin 2022, Grandi vuri në dukje se mirëpresin këtë mbështetje të rëndësishme, por sipas tij premtimet nuk do të jenë të mjaftueshme për të mbështetur në masë të madhe vështirësitë në rritje për konfliktet, ndryshimin klimatik dhe pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Grandi njoftoi se KS-OKB ka kërkuar rreth 9 miliardë dollarë për të vazhduar vitin e ardhshëm aktivitetet në 136 vende dhe rajone. Ai shpjegoi se gjysma e këtyre parave janë për njerëzit në numër rekord që janë zhvendosur me forcë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika si dhe për situata emergjente për të ndihmuar miliona njerëz që janë larguar nga shtëpitë e tyre në Jemen, Afganistan, Etiopi, Mianmar, Venezuelë dhe vende të tjera.

Ndaj pyetjes nëse shikon apo jo ndonjë shpresë në Vitin e Ri për miliona refugjatë dhe të zhvendosur, Grandi dha përgjigjen se: “Shikoj shpresë në çdo vend, nëse bëhen ato që janë të nevojshme. Pyetja është nëse a do të bëhen këto? A do të bëjnë më shumë bashkëpunim shtetet për të zgjidhur këto probleme? A do të ndahen më shumë burime për zgjidhjet? A do të sigurohet paanshmëria dhe siguria e operacioneve humanitare? Në këto çështje, nuk jam shumë optimist kryesisht për çështjen e përparimit në kërkimin e bashkëpunimit dhe zgjidhjeve”. /aa