OKB: Kriza më e madhe e zhvendosjeve në botë ende po ndodh në Siri

Boris Cheshirkov

“Kriza më e madhe e zhvendosjeve në botë ende po ndodh në Siri. Mbi 13 milionë njerëz janë larguar nga vendi ose janë zhvendosur brenda kufijve të vendit”, tha Cheshirkov

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) njoftoi se kriza më e madhe e zhvendosjeve në botë përjetohet ende në Siri dhe se mbi 13 milionë njerëz janë larguar nga vendi ose janë zhvendosur brenda kufijve të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i UNHCR-së në një konferencë për media në selinë e OKB-së në Gjenevë, Boris Cheshirkov rikujtoi se lufta e brendshme e Sirisë ka mbushur vitin e 11-të të saj.

Pasi vuri në dukje se janë rritur nevojat e sirianëve të zhvendosur brenda dhe jashtë vendit, Cheshirkov bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të “mos neglizhojë” sirianët.

“Kriza më e madhe e zhvendosjeve në botë ende po ndodh në Siri. Mbi 13 milionë njerëz janë larguar nga vendi ose janë zhvendosur brenda kufijve të vendit”, tha Cheshirkov, i cili shtoi se “Turqia vazhdon të presë popullatën më të madhe të refugjatëve në botë, përfshirë mbi 3.7 milionë sirianë”.

Ai tha se vendet fqinje kanë pranuar në mënyrë bujare 5.6 milionë sirianë dhe se për këto vende duhet të sigurohet mbështetje ndërkombëtare.

Cheshirkov shtoi se kryesisht situata e sirianëve në Liban është shumë e keqe dhe se nevojat humanitare brenda Sirisë janë rritur në mënyrë eksponenciale.

Sipas tij, 6.9 milionë sirianë janë ende të zhvendosur brenda vendit, 14.6 milionë njerëz kanë nevojë për nevojë dhe mbështetje humanitare të tjera.

Cheshirkov foli edhe për rikthimet e sirianëve në vendin e tyre dhe shtoi se UNHCR-ja vitin e kaluar ka caktuar kthimin e rreth 36 mijë personave. /aa