OKB: Lufta në Ukrainë do të sjellë vështirësi të reja për sirianët

Paulo Pinheiro

“Pasojat e krizës në Ukrainë do të sjellin vështirësi të reja për sirianët. Ndërkohë që inflacioni në vend tashmë është rritur”, tha kreu i Komisionit Hetimor të OKB-së për Sirinë, Pinheiro

Komisioni i Pavarur Hetimor i OKB-së për Sirinë paralajmëroi se lufta Rusi-Ukrainë do të sjellë vështirësi të reja për sirianët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Komisionit, Paulo Pinheiro prezantoi raportin e tij lidhur me Sirinë në sesionin e 49-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Lufta kundër COVID-19 në Siri po tentohet të bëhet me mundësi të kufizuara mjekësore”, tha Pinheiro i cili ka ndarë informacionin se 90 për qind e popullatës së vendit jeton në varfëri ndërsa 12 milionë njerëz janë të privuar nga siguria ushqimore.

Ai vuri në dukje se lufta Rusi-Ukrainë, ndikon në situatën humanitare të sirianëve. “Pasojat e krizës në Ukrainë do të sjellin vështirësi të reja për sirianët. Ndërkohë që inflacioni në vend tashmë është rritur”, thekson Pinheiro.

Sipas tij, ka shqetësime serioze lidhur me vazhdimësinë e importit të grurit në Siri dhe se “jeta e civilëve vazhdon të rrezikohet nga regjimi”.

Pinheiro tërhoqi vëmendjen në vendosjen në objektiv të civilëve nga regjimi i Bashar al-Asadit dhe shtoi se të paktën 64 fëmijë e kanë humbur jetën vetëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar për shkak të bombardimeve të regjimit dhe forcave ruse në Idlib dhe në Halepin Perëndimor.

Duke vënë në dukje se kushtet humanitare dhe ekonomike në vend përkeqësohen gjithnjë e më shumë, Pinheiro bëri thirrje për rishikimin e sanksioneve të njëanshme që prekin negativisht ekonominë e vendit. /aa