Organizatat humanitare turke vazhdojnë të shpërndajnë ndihma nëpër botë

Fondacioni IHH ka njoftuar se që nga fillimi i Ramazanit ka shpërndarë të paktën tre milionë bukë në Siri, ndërsa Fondacioni i Diyanet-it turk shpërndau pako ushqimore në Malawi

Fondacionit Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) ka shpërndarë të paktën tre milionë bukë në Siri gjatë 10 ditëve të para të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nënkryetari i Fondacionit IHH, Cüneyt Kılıç, në një deklaratë me shkrim tha se ata vazhduan të ofrojnë mbështetje për familjet siriane në nevojë.

Buka është dorëzuar nga furrat e bukës në Siri dhe Turqi gjatë muajit të agjërimit, tha Kılıç, duke nënvizuar se IHH ka vazhduar të shpërndajë ushqime të freskëta që nga fillimi i Ramazanit.

Ai theksoi se buka është ndër nevojat më të rëndësishme të familjeve që jetojnë në kampe, për të cilët tha se IHH siguron bukë çdo ditë.

“Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për ata sirianë të shtypur, të cilët po kalojnë Ramazanin e 12-të në luftë”, shtoi ai.

Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad shtypi protestat pro-demokracike me egërsi të papritur.

– Fondacioni i Diyanet-it turk shpërndau pako ushqimore në Malawi

Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare (Diyanet) shpërndau pako ushqimore për 1.000 familje në Malawi, si pjesë e aktiviteteve gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Gjithashtu, janë shpuar puse të ujit në katër rajone të vendit dhe këto puse furnizohen me energji diellore, tha Lütfullah Sarıgül, një zyrtar i Fondacionit.

“Ne shpërndamë pako ushqimore për 1.000 familje si pjesë e ndihmave të Ramazanit”, tha Sarıgül. /aa