Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pakistani dënon ashpër sulmin e Huthive në stacionin energjetik në qytetin Medine...

Pakistani dënon ashpër sulmin e Huthive në stacionin energjetik në qytetin Medine të Arabisë Saudite

Pakistani të premten dënoi ashpër një sulm ndaj një stacioni të shpërndarjes së energjisë në qytetin Medine të Arabisë Saudite, për të cilin u fajësuan rebelët Huthi të Jemenit, duke e quajtur atë një “provokim të rëndë” dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale, transmeton Anadolu.

Ministria e Jashtme tha se sulmi i 29 shtatorit kishte në shënjestër stacionin e shpërndarjes së energjisë Taibah, një strukturë civile që furnizon me energji elektrike Xhaminë e Profetit.

“Shenjtëria e Dy Xhamive të Shenjta dhe siguria e besimtarëve dhe pelegrinëve duhet të respektohen në të gjitha rrethanat”, tha ministria.

Islamabadi bëri thirrje për një fund “të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të veprimeve të tilla dhe riafirmoi “solidaritetin e palëkundur” me Arabinë Saudite, duke shprehur mbështetje për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë e mbretërisë.

“Ne qëndrojmë fort me Arabinë Saudite në përpjekjet e saj për të mbrojtur dy Xhamitë e Shenjta, për të mbrojtur popullin e saj dhe për të siguruar sigurinë e pelegrinëve”, shtoi ministria.

Më herët të enjten, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se një dron goditi stacionin Taibah, duke nxjerrë jashtë funksionit një transformator pa ndërprerë rrjetin e energjisë elektrike.

Zëdhënësi i koalicionit, gjeneralmajor Turki al-Maliki, tha se një hetim dhe ekzaminim i mbetjeve vërtetoi përfshirjen e rebelëve Huthi në sulm.