Palestina hedh poshtë pretendimet izraelite për problemet shëndetësore të Abbas

Një zyrtar i lartë palestinez mohoi akuzat izraelite për gjendjen e keqe shëndetësore të presidentit palestinez Mahmoud Abbas, raporton Anadolu Agency (AA).

“Presidenti Abbas është në gjendje të shkëlqyer shëndetësore”, tha për AA Mahmud Ismail, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP).

Mediat izraelite dje dhanë deklaratat e disa zyrtarëve të Tel Avivit për problemet shëndetësore të presidentit palestinez Abbas i cili iu nënshtrua një ekzaminimi mjeksor të premten në kryeqytetin jordanez Amman.

Ismaili i hodhi poshtë këto akuza dhe sqaroi se Abbas ishte nënshtruar një kontrolli mjekësor të rregullt dhe paraprakisht të planifikuar.

“Presidenti bën kontroll mjekësor sa herë që viziton Ammanin dhe nuk ka probleme. Izraeli po udhëheq një lloj lufte psikologjike dhe qëllimi i pretendimeve të rreme është të krijojë përshtypjen se Abbas ka probleme shëndetësore”, ka thënë Ismail.

Abbas edhe gjatë vizitës së tij në shkurt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), gjithashtu bëri disa kontrolle mjekësore ndërsa mediat bënë spekulime rreth gjendjes së tij shëndetësore.