Papa Françesku drejton meshën në Kishën e “Zemrës së Shenjtë” në Bahrein

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku drejtoi meshën e mbajtur në Kishën e “Zemrës së Shenjtë” në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes zyrtare të Vatikanit, Papa Françesku në ditën e fundit të vizitës së tij në Bahrein, u lut me peshkopët dhe priftërinjtë në Kishën e “Zemrës së Shenjtë”.

Papa përshëndeti pjesëmarrësit në meshë dhe tha: “Shoh që disa nga ju janë libanezë. Lutjet e mia janë me vendin tuaj të lodhur dhe të sprovuar dhe të gjithë popujt që janë me probleme në Lindjen e Mesme”.

Edhe dje Papa vizitoi dhe u takua me të rinjtë e Shkollës “Zemra e Shenjtë” në Manama.

Bashkë me delegacionin që e shoqëron, Papa mbërriti në Bahrein më 3 nëntor për të marrë pjesë në takimin me temë “Forumi i Dialogut të Bahreinit: Lindja dhe Perëndimi që njerëzit të jetojnë së bashku”.