Papa Françesku thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Sudanin e Jugut

Papa Françesku u ka kërkuar liderëve të Sudanit të Jugut që të bëjnë një fillim të ri për paqen dhe të shmangin rritjen e gjakderdhjes dhe dhunës në vend, transmeton Anadolu.

“Në emër të Zotit, Zotit në të cilin besojnë kaq shumë njerëz në Sudanin e Jugut, tani është koha për të thënë ‘jo më nga kjo:’ Jo më gjakderdhje, jo më dhunë, jo më të lihet populli në etje për paqe. Lëreni kohën e luftës pas dhe le të lindë një kohë paqeje!”, tha papa, duke u adresuar në një tubim në Pallatin Presidencial në kryeqytetin Juba.

Ai tha se vizita e tij në Sudanin e Jugut është një pelegrinazh i pajtimit që po e realizon së bashku me dy vëllezërit e tij, Kryepeshkopin e Canterbury-t dhe Moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë.

“Ne dëshirojmë t’ju ofrojmë lutjet tona të përzemërta dhe mbështetjen tonë, në mënyrë që Sudani i Jugut të përjetojë pajtimin dhe ndryshimin e drejtimit. Urojmë kursi i tij jetësor të mos përfshihet nga dhuna, të mos zhytet në kënetat e korrupsionit dhe të bllokohet nga vërshimi i varfërisë”, tha papa.

Ai tha se të gjithë fëmijët e kontinentit afrikan dhe në mbarë botën kanë të drejtë të rriten duke mbajtur në duar fletore dhe lodra, jo armë dhe mjete për punë.

“U bëftë për të gjithë ky rast për të ringjallur shpresën. Le të kuptojë çdo qytetar se ka ardhur koha që të ndalohet rrëmbimi nga ujërat e ndotur të urrejtjes, tribalizmit, rajonalizmit dhe dallimeve etnike. Është koha për të lundruar së bashku drejt së ardhmes”, u shpreh kreu i botës katolike.

“Ne ndërmorëm këtë pelegrinazh ekumenik të paqes pasi dëgjuam lutjen e një populli të tërë që, me dinjitet të madh, qan për dhunën që po e duron, mungesën e vazhdueshme të sigurisë, varfërinë dhe fatkeqësitë natyrore që ka përjetuar”, deklaroi Papa Françesku.

Ai tha gjithashtu se vitet e luftës dhe konfliktit duket se nuk do të mbarojnë kurrë dhe, madje kohët e fundit, ka pasur përplasje të ashpra, ndërsa procesi i pajtimit duket i stagnuar dhe premtimi për paqe i paplotësuar.

“Uroj që kjo vuajtje e zgjatur të mos jetë e kotë; uroj që durimi dhe sakrificat e sudanezëve të jugut, këtij populli të ri, modest dhe guximtar, ta sfidojnë secilin dhe, sikurse farat e mbjella në tokë që u japin jetë bimëve, le të lulëzojë e të japë frute paqja”, theksoi papa.

Presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit, tha se shpreson që vizita e papës dhe dy liderëve të tjerë fetarë do t’i nxisë ata për paqe dhe pajtim.

“Shpresa ime e sinqertë është që shtytja jonë për paqe dhe pajtim do të ndihmohet nga pelegrinazhi ekumenik në Republikën e Sudanit të Jugut nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, Kryepeshkopi i Canterbury-t, Dr. Justin Welby, dhe Moderatori i Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, Dr. Iain Greenshields”, tha Kiir.

“Kjo vizitë historike e këtyre liderëve të shquar të krishterë globalë duhet të na detyrojë të angazhohemi për të menduar thellë për historinë tonë të fundit, veçanërisht për mënyrën se si ajo lidhet me detyrën fisnike të konsolidimit të paqes dhe me projektet e rëndësishme të pajtimit dhe faljes mes popullit tonë”, shtoi ai.

Papa Françesku mbërriti në Sudanin e Jugut të premten nga Republika Demokratike e Kongos fqinje dhe mijëra njerëz u mblodhën për ta mirëpritur atë për vizitën e tij treditore, duke përfshirë presidentin Kiir. /aa