Papa Leo XIV ka thënë se “nuk ka frikë” nga administrata e Donald Trumpit dhe është zotuar se do të “flasë me zë të lartë”, pas kritikave të presidentit amerikan i cili e quajti atë “të dobët”, pas deklaratave të Papës lidhur me luftën e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti nga ANSA, Papa foli me gazetarët në një fluturim papnor nga Roma në Algjeri të hënën, duke thënë se do të vazhdonte të fliste kundër konfliktit.
“Nuk kam frikë nga administrata Trump,” tha Papa Leoni, ndërsa filloi një vizitë 10-ditore në Afrikë që do të përfshijë Algjerinë, Kamerunin, Angolën dhe Guinenë Ekuatoriale.
“Unë flas për Ungjillin dhe për këtë arsye do të vazhdoj të flas me zë të lartë kundër luftës. Nuk kam ndërmend të hyj në një debat me të”, shtoi ai, duke iu referuar Trumpit.
Në një postim në platformën e tij sociale “Truth”, Trump tha se nuk e do një “Papë që mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”.
“Papa Leo është i dobët ndaj krimit dhe i tmerrshëm për politikën e jashtme”, tha ai.
Trump gjithashtu theksoi se zgjedhja e Papa Leonit si kreu i Kishës Katolike ishte e motivuar politikisht.
“Sepse ai ishte një amerikan, dhe ata menduan se kjo do të ishte mënyra më e mirë që të merrej vesh me Presidentin Donald Trump. Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leo nuk do të ishte në Vatikan”, vazhdoi Trump.
Duke folur gjatë një vigjiljeje lutjeje në Bazilikën e Shën Pjetrit të shtunën, Papa tha: “Mjaft me idhujtarinë e vetvetes dhe të parasë! Mjaft me shfaqjen e pushtetit! Mjaft me luftën”, duke iu referuar luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.





