Paralajmërimi “apokaliptik” i guvernatorit të Bankës Qendrore të Anglisë

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, dha një paralajmërim “apokaliptik” për rritjen e çmimeve të ushqimeve, raporton “DailyMail” të martën.

Ai tha se ndihet i pafuqishëm në luftimin e inflacionit, derisa para deputetëve britanikë theksoi se lufta në Ukrainë mund ta thellojë ende më shumë koston e jetesës.

“Shkaku kryesor i inflacionit është tronditja e madhe reale e të ardhurave që vjen nga forcat e jashtme, dhe veçanërisht, çmimet e energjisë dhe ato globale të mallrave”, tha Bailey.

Sipas tij, sivjet bota do ta pësojë një “shok real të të ardhurave” pasi çmimet do të rriten me ritmin më të shpejtë në 30 vjetët e fundit, duke rritur varfërinë.

Problematike del të jetë edhe furnizimi i Evropës me grurin ukrainas si pasojë e luftimeve me forcat ruse. Ukraina vlerësohet të mbulojë 10 për qind të nevojave të grurit në botë dhe është gjithashtu ndër prodhuesit më të mëdhenj të vajit të lulediellit.

“Kjo do të ketë ndikim në kërkesën e brendshme dhe do të zbehë aktivitetin. Kam frikë se do ta rrisë papunësinë”, shtoi ai.

Bailey iu tha deputetëve se punëtorët nuk duhet të kërkojnë rritje të mëdha pagash, pavarësisht krizës së kostos së jetesës. Ai shtoi se personat me të ardhura të larta duhet të mendojnë dhe të reflektojnë “para se të kërkojnë rritje pagash”. /koha