Parimet e një shoqërie të suksesshme

Shkruan: Abdullah Klinaku

Shoqëria jonë si rezultat i ndryshimeve të mëdha shoqërore, ekonomike, kulturore e politike herë pas here futet në labirinthe dhe në rrugë pa krye. Për shumë këndë kjo gjendje nuk është e pranueshme, megjithatë po ndodhë.

Shoqëria jonë, po dëshmon që ka ngecje serioze në formimin e individit. Ka dështuar në formimin e institucioneve. Ka dështuar në ndërtimin e një shoqërie të moralshme, të një sistemi të mirë arsimor, të një sistemi të shendetshëm shëndetësor, të një ekonomie zhvillimore e të një fetarie që është në funksion të individit, shoqërisë e shtetit. Ka dështuar në formësimin e shoqërisë civile, mediatike, intelektuale e politike. Arsyet e këtij dështimi janë të shumta megjithatë rruga e rikthimit të suksesit është shpejt e mundëshme.

Shoqëria jonë, ka nevojë t’i kthehet vlerave të veta, ti kultivojë ato dhe ti vëjë në funksion të vet zhvillimit. Ne nuk duhet të humbim kohë për të gjetë modele lindjeje e perëndimi por të jemi të vendosur për ti vënë në pah resurset tona. Ftesa jonë për deri te një shoqëri e cila ka themel të mirë, ngritet mbi tri parime; besimin në Zot, moralin e mirë dhe paqen. Këto tri parime në fakt burojnë prej vlerave të popullit tonë.

Besimi në Zot, është parimi i parë që shoqëria jonë në përgjithësi duhet ta përvetësoi. Të ndjehet krenare me besimin dhe të veproi në pajtim me normat që ka besimi ynë. Një vend sikur se ne i cili në themel të ndërtimit të tij ka gjakun më të mirë të dëshmorëve, sakrificën e të gjallëve dhe përpjekjen e çdo shqiptari është duke e katandisur veten në humnerat e materializmit të pas luftës në mënyrë të verbër. Prej një shoqërie fetare të dalim aq hapur në një shoqëri laike anti fetare nuk është emancipim por është krizë e identitetit dhe lajthitje.

Përderisa në Kuvend, tubime politike e qeveri përmendet emri Zot, sa do që mund të jetë formale, prapë se prapë lenë të kuptojmë se shoqëria jonë si e tillë nuk është anti fetare në rrënjë. Politikanët e përdorin shpesh emrin e Zotit dhe si të tillë e kanë për obligim të krijojnë mundësi ligjore që popullit t’ua mundësojnë ta mësojnë besimin në Zot në shkollat publike.

Megjithëse anti fetarët janë duke u përpjekur ta rrënojnë besimin në Zot, duke i shfrytëzuar resurset si dhe duke u përpjekur ta paraqesin besimin në Zot si jo kompatibil me zhvillimin e shoqërive moderne, ftesa që shoqëria jonë të lidhet me besim në Zotin, nuk rrezikon askënd e as nuk bie në kundërshtim me asnjë pretendim të kombit tonë, përjashtimisht atyre komuniste dhe ekstremiste laike. Shoqëria duke e ruajtur dhe kultivuar besimin në Zot, do ta kthejë shpresën për të ardhmen, besimin për të vepruar dhe guximin për të ndryshuar gjendjen.

Korrupsioni, hajnia, politika e pa moralshme, familja në rrënim e sipër me shtim të madh shkurorëzimesh, intelektualë që akuzohen për abuzime e fetar që ngjiten për ekstremeve janë refkletim i mungesës së moralit të mirë. Shoqëria jonë ka nevojë për moral të mirë. Morali i mirë, fetarin e bënë të këndshëm për shoqërinë dhe model. Morali i mirë politikanit ja ruan fytyrën dhe nuk e lejon me vjedhë e me gënjyer popullin e vet. Morali i mirë e fisnikëron burrin dhe gruan. Morali i mirë të pavarson në veprim sepse askush nuk mundet të shantazhojë e të akuzojë. Morali i mirë nuk të shëndërron në peng të askujt e të bësh koncesione pastaj. Morali i mirë ta ruan vendosmërinë, parimin dhe fytyrën. Kur humbet morali, të humb vendosmëria sepse bëhesh rob, të thehen parimet sepse je peng dhe të humb fytyra sepse hapur shihet mashtrimi jot. Politika e moralshme nuk është asnjëherë dështuese, ajo është fituese sepse qëndron mbi parime. Sot kemi nevojë më shumë se kurrë për politik të moralshme, media të moralshme, arsim të moralshëm. Sot kemi nevojë për moralin e mirë. Me moralin e mirë do të jemi shembull për të gjithë dhe si të tillë do të jemi në rrugën e më të mirëve të njerëzimit.

Paqja, është parimi i tretë mbi të cilin duhet të ndërtohet personalitetit i individit të shoqërisë sonë. Luftërat, terrorizimi, dhuna, pa drejtësitë, shkelja e lirive dhe të drejtave të njeriut, standarti i dyfishtë, pa siguria dhe përçarja janë pasqyra e lajmeve të kohës bashkëkohore. Sot, ne duhet ti ofrojmë paqe vendit tonë. Paqe midis grupeve të interesit. Paqe midis vet fetarëve. Paqe midis politikanëve. Paqe midis feve. Paqe midis kombeve. Shqiptarët janë komb i emigruar anë e mbanë botës. Prandaj ku do që janë duhet të jenë shembull dhe kultivues të paqes. Duhet të flasim për paqen e jo për luftën. Të nxisim për paqen e jo për dhunën. Të adaptohemi duke kultivuar rehati e paqe me familjen tonë, mikun tonë, komshiun tonë, vendin tonë dhe mbarë njerëzimin. Populli jonë akoma vuan dhe digjet nga humbjet në luftën e fundit prandaj e kemi obligim shtesë të jemi thirrës në paqe e jo në kriza. Vendi ynë dhe mbarë bota kanë nevojë për paqen. Ama për paqen që buron nga drejtësia e jo nga paqeja e rrejshme. Kjo paqe do ti shëronte dhimbjet në vendin tonë. Do të shëronte dhe qetësonte dhimbjet e shumë familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga veprat terroriste të shkaktuara nga terrorizimi grupor apo shtetëror.

Bota ka nevojë për paqen dhe e mirëpret çdo kontribut tonin në këtë drejtim.
Besimi në Zot, morali i mirë dhe paqja janë tre parimet e rrugës sonë. Individi i cili e ka ndërtuar personalitetin e vet mbi këto tre parime do ti sjellë plotë dobi e mirësi shoqërisë dhe vendit tonë. Këto tre parime duhet të jenë të kalitura dhe të adaptuara me sjelljet tona dhe në të njëjtën kohë të jenë ftesa dhe thirrja e vazhdueshme e popullit tonë. Ftesa në këto tre parime të bënë të pa thyeshëm dhe të pa kontestueshëm në çfarë do rrethane që gjendesh.