Parlamenti i Spanjës të mërkurën rrëzoi një propozim të partisë së majtë radikale opozitare Podemos për të mbajtur një referendum të ri mbi anëtarësinë e vendit në NATO, raporton Anadolu.
Podemos kishte kërkuar që çështja të hidhej sërish në votim publik, siç ishte bërë në vitin 1986, me rastin e 40-vjetorit të anëtarësimit të Spanjës në NATO më 12 mars, por nuk arriti të sigurojë mbështetje.
Propozimi për “mbajtjen e një referendumi mbi vazhdimin e anëtarësisë së Spanjës në NATO” u hodh poshtë nga partneri kryesor i koalicionit qeverisës, Partia Socialiste Punëtore (PSOE), si dhe nga partitë opozitare, përfshirë Partinë Popullore (PP), partinë e ekstremit të djathtë Vox, Partinë Nacionaliste Baske (PNV) dhe Junts për Kataloninë.
Partneri i vogël i koalicionit Sumar abstenoi, ndërsa vetëm E Majta Republikane e Katalonisë (ERC) dhe aleanca baske Bildu e mbështetën iniciativën së bashku me Podemos.
Në propozimin e saj, Podemos, e cila mbron tërheqjen e Spanjës nga NATO dhe mbylljen e bazave ushtarake, pohoi se “vetëm 21 për qind e popullsisë në Spanjë e mbështet anëtarësinë në NATO në kushtet aktuale, dhe të gjithë personat nën moshën 58 vjeç nuk e konsiderojnë qëndrimin në NATO si vendimin e duhur”.
Liderja e Podemos, Ione Belarra, akuzoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për “nxitje të luftës dhe fushata armatimi”.
Ajo pretendoi se “SHBA-ja tani e sheh NATO-n thjesht si një mjet për të imponuar urdhrat e saj duke i trajtuar aleatët si klientë të thjeshtë, të forcuar nga angazhimet e shteteve anëtare për të blerë më shumë gaz natyror dhe armë”.
Belarra tha se propozimi synonte “të rindërtonte një politikë të jashtme të bazuar në paqe, të drejtën ndërkombëtare dhe bashkëpunim mes popujve, të rikthente sovranitetin e plotë të Spanjës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të vendoste vullnetin demokratik të qytetarëve në qendër të vendimeve për luftën dhe paqen”.
Ajo gjithashtu akuzoi kryeministrin Pedro Sanchez se po vepron në kundërshtim me sloganin e tij “Jo luftës”.



