Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se forcat e armatosura të vendeve evropiane konsiderohen “organizata terroriste” sipas ligjit iranian, si dhe ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian (BE) do të mbajë përgjegjësi për pasojat e veprimeve kundër Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), transmeton Anadolu.
Në deklarata gjatë një seance parlamentare, sipas agjencisë së lajmeve Fars, Ghalibaf tha se “sipas Nenit 7 të Ligjit për Kundërshtimin e Shpalljes së IRGC-së, ushtritë e vendeve evropiane konsiderohen grupe terroriste”.
Ai tha se “pasojat e këtij veprimi do të jenë përgjegjësi e BE-së”.
Ndërkohë, ligjvënësit iranianë u shfaqën të veshur me uniforma të IRGC-së gjatë seancës parlamentare, në reagim ndaj asaj që e përshkruan si veprim “armiqësor” të BE-së për shpalljen e IRGC-së si organizatë terroriste.
Ghalibaf kritikoi atë që e quajti një veprim “të papërgjegjshëm” të BE-së për etiketimin e IRGC-së si “organizatë terroriste”, duke theksuar se vendimi është marrë “në përputhje me udhëzimet të presidentit amerikan (Donald Trump) dhe udhëheqësve të regjimit (izraelit) sionist”.
Ai tha se ky veprim “ka përshpejtuar margjinalizimin e Evropës në rendin e ardhshëm global”.
Kryeparlamentari iranian theksoi se “mbështetësit e sionizmit po kërkojnë luftë psikologjike të drejtuar nga mediat, me qëllim frikësimin e popullit iranian dhe vendeve të pavarura”, duke shtuar se “populli iranian e konsideron IRGC-në si pjesë të vetes”.
Ghalibaf tha se IRGC-ja “ka luajtur një rol kyç në garantimin e sigurisë kombëtare dhe ka qëndruar pranë popullit iranian gjatë krizave, përfshirë fatkeqësi natyrore si përmbytjet dhe tërmetet, pandeminë COVID-19, përpjekjet për rindërtim dhe luftën kundër varfërisë”.
“Këto lloj sulmesh vetëm sa do ta forcojnë kohezionin shoqëror dhe mbështetjen publike për IRGC-në në mbrojtje të dinjitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit”, shtoi ai.
Këto deklarata vijnë pasi ministrat e jashtëm të BE-së të enjten arritën një marrëveshje politike për ta shpallur IRGC-në organizatë terroriste, një vendim i njoftuar nga shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e cila tha se vendimi u mor në përgjigje të asaj që ajo e përshkroi si represion nga autoritetet iraniane.
Tensionet mes Teheranit dhe Washingtonit janë përshkallëzuar javët e fundit, pas deklaratave të presidentit Trump se një “armatë masive” po lëvizë drejt Iranit, së bashku me thirrjen e tij që Teherani “të ulet në tryezën e negociatave”.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të përballet me një përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”, duke theksuar njëkohësisht se Teherani mbetet i hapur për bisedime vetëm sipas asaj që i përshkruan si “kushte të drejta, të balancuara dhe jo-shtrënguese”.




