Partia Social-Demokrate fiton zgjedhjet parlamentare në Gjermani

Partia Social-Demokrate (SPD) ka fituar zgjedhjet federale në Gjermani ndërsa blloku konservator CDU/CSU i Angela Merkelit doli e dyta, treguan sot rezultatet paraprake, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët gjermanë të dielën votuan për një parlament të ri dhe për të caktuar se kush do të pasojë kancelaren Agela Merkel.

SPD e Olaf Scholz fitoi zgjedhjet me një diferencë të ngushtë, duke fituar 25.7 për qind të votave dhe siguroi 206 vende në Parlamentin federal, sipas rezultateve paraprake të shpallura nga agjencia federale e zgjedhjeve.

CDU/CSU e kandidatit konservator Armin Laschet doli e dyta me 24.1 për qind me 196 vende në Bundestag. Ky ishte rezultati më i keq zgjedhor i demokristianëve që nga viti 1949.

Social-Demokratët kanë siguruar fitore të ngushtë në zgjedhje, por nuk arritën një shumicë parlamentare, duke sinjalizuar se vendi po shkon drejt një qeverie koalicioni me tre drejtime për herë të parë që nga vitet 1960.

Kancelari i Gjermanisë zgjidhet në mënyrë indirekte, me elektoratin që zgjedh anëtarët e rinj të parlamentit të cilët më pas zgjedhin kancelarin e ri.

Nëse partia fituese siguron shumicë në parlament ose arrin të ndërtojë një qeveri koalicioni me një shumicë absolute, kandidati i saj zakonisht bëhet kancelari i ardhshëm i vendit.

Pas 16 vitesh në pushtet, Merkel hoqi dorë nga politika aktive, por do të qëndrojë në postin e saj derisa të formohet qeveria e re. /aa