Pas evakuimit ushtarët e Asadit plaçkisin shtëpitë në Alepo

Bëhet e ditur se forcat e Asadit janë duke i plaçkitur shtëpitë e evakuuara në lindje të Alepos, raporton Anadolu.

Sipas të dhënave të siguruara nga burimet lokale, plaçkitjet që filluan në muajin nëntor nga njësitet e kolonelit Suheyl el-Hasan pranë ushtrisë së regjimit, janë intensifikuar me evakuimet e fundit.

Mësohet se forcat në fjalë kanë krijuar hallka të sigurisë rreth disa lagjeve dhe po i plaçkisin gjërat me vlerë nëpër shtëpitë në të cilat hyjnë me arsyetimin se janë duke “asgjësuar mjete shpërthyese”.

Njoftohet se mijëra shtëpi janë zbrazur në këtë mënyrë dhe se nga të njëjtat janë plaçkitur në veçanti pajisjet elektronike dhe kabllo prej bakri që më pas të dërgohen dhe të shiten në qytetin Xhibrin në lindje të Alepos.

Po ashtu thuhet se rastet e plaçkitjeve janë intensifikuar posaçërisht në lagjet Seyfu’d-Devle, Ez-Zibdiyye, Salahaddin dhe Es-Sukkeri.

Burime të cilat nuk kanë dashur të identifikohen për shkaqe sigurie, kanë potencuar se në zonë ka shumë pika kontrolli të regjimit të Asadit te të cilat kërkohet shumë e madhe parash nga civilët të cilët dëshirojnë t’i marrin me vete gjësendet e tyre, për ç’arsye personat detyrohen t’i braktisin gjësendet.

Ndryshe, evakuimet në lindje të Alepos nën kontrollin e opozitarëve u realizuan me ndërmjetësimin e Rusisë dhe Turqisë. Gjatë evakuimit që zgjati tetë ditë duke filluar nga 15 dhjetori, nga Alepo arritën të dalin 44 mijë civilë dhe opozitarë me qindra autobusë dhe mijëra automjete civile