Pasaportat e imunizimit, nisin të aplikohen në disa shtete, hapen debatet nëse diskriminojnë

Pasaporta digjitale ilustrim

Me nisjen e procesit të vaksinimit thuajse në të gjithë botën, një tjetër debat ka nisur sa i përket pasaportave të gjelbra apo imunizimit, të cilat shumë shtete i shohin si një mënyrë që do të lejojë qarkullim më të lirë e të sigurt të njerëzve.

Por të paturit e një certifikate imunizimi që dëshmon nëse je vaksinuar apo jo, nëse je negativ ndaj COVID-19 dhe je imunizuar ka shkaktuar debate se mund të sjell diskriminim për ata persona që nuk kanë mundësi të imunizohen.

Shtëpia e Bardhë ka përjashtuar futjen e pasaportave të detyrueshme federale të vaksinimit Covid-19, duke thënë se privatësia dhe të drejtat e qytetarëve duhet të mbrohen.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se nuk do të ketë “bazë të dhënash federale të vaksinimeve” ose një “mandat federal që u kërkon të gjithëve të marrin një letër kredenciale të vetme”.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është shprehur se nuk mbështet pasaportat e vaksinimit për udhëtime.

Vendet në të gjithë botën po konsiderojne futjen e të ashtuquajturave pasaporta vaksine si një mënyrë për të rimëkëmbur ekonomitë e tyre.

Në Angli, po zhvillohet një skemë “Certifikimi i statusit Covid” një lloj testi për të lejuar hyrjen ne koncerte dhe ndeshjet sportive.

Në këtë certifikatë shënohet nëse njerëzit janë vaksinuar, testuar negativisht kohët e fundit, ose janë shëruar nga Covid-19.

Bashkimi Evropian po studion po ashtu planet për të aplikuar certifikatat e gjelbra që mund të jenë të printuara ose digjitale.

Greqia ka kërkuar me këmbëngulje që të përdoren pasaporta e COVID sidomos në nisje të sezonit turistik.

Madje në bazë të një marrëveshje me Izraelin, në Greqi dhe Qipro lejohen të gjithë qytetarët izraelit e pajisur me një pasaportë imunizimi.

Në Izrael, tashmë është e mundur të kesh një “Green Pass” për këdo që është vaksinuar ose rikuperuar nga Covid-19.

Me një biletë të tillë qytetarët mund të hyjnë lirshëm në hotele, palestra apo teatro. /euronews