Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Patriarkët katolikë dhe ortodoksë grekë të Kudsit vizitojnë Gazën me “mesazh shprese”...

Patriarkët katolikë dhe ortodoksë grekë të Kudsit vizitojnë Gazën me “mesazh shprese” mes krizës humanitare

Klerikët më të lartë në Kuds të Kishës Katolike dhe Kishës së Krishterë Ortodokse Greke vizituan të hënën Spitalin Baptist dhe Universitetin Al-Azhar në Gaza, si pjesë e një misioni baritor dyditor që synon të mbështesë palestinezët që përballen me kushte të rënda humanitare të shkaktuara nga lufta gjenocidale e Izraelit, transmeton Anadolu.

Patriarku ortodoks grek i Kudsit, Theophilos III dhe Patriarku Latin i Kudsit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, mbërritën në Gaza të shoqëruar nga zyrtarë humanitar dhe shëndetësor, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të ndihmës.

Delegacioni përfshinte Joseph D. Blotz, spitalor i madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, së bashku me përfaqësues nga grupi humanitar Malteser International.

Pizzaballa vizitoi Spitalin Baptist në qytetin lindor të Gazës, duke inspektuar departamentet e tij dhe duke shqyrtuar kushtet me të cilat përballen pacientët dhe civilët e zhvendosur që strehohen atje.

Vizita përfshiu gjithashtu Universitetin Al-Azhar dhe Spitalin e Syrit St. John si pjesë e përpjekjeve për të vlerësuar kushtet në institucionet arsimore dhe mjekësore në të gjithë enklavën.

Në një deklaratë, Patriarkana Latine e Kudsit tha se vizita pasqyron “përgjegjësinë baritore” të kishave ndaj banorëve të Gazës mes “vuajtjeve të rënda humanitare, frikës, humbjes dhe pasigurisë”.

Patriarkana tha se prania e dy krerëve të kishës mbart “lutjen e Kudsit për besimtarët e plagosur të Gazës dhe për të gjithë ata që vuajnë” në një mesazh ngushëllimi, mëshirë dhe solidariteti.

Dy patriarkët pritet të takojnë anëtarët e klerit, komunitetet fetare, familjet e krishtera dhe palestinezët e prekur nga kriza humanitare për të ofruar mbështetje shpirtërore dhe shpresë të përtërirë.