Nxitja e përçarjes në mesin e myslimanëve dhe thellimi i plagëve në trupin e dërrmuar, është një punë që po e kryejnë tani grupacione të shumta, duke vënën në shërbim të saj lapsa të ndryshme dhe metoda intrige.
Ka njerëz që thonë: Palestinezët janë tradhtarë. Ka që thonë: Banorët e Irakut janë njerëz të nifakut dhe shikakut (njerëz hipokritë dhe përçarës). Ose, ka prej tyre që thonë: Kuvajtianët kanë braktisur vendin e tyre nga frika e vdekjes, ndërkohë që ata janë me mijëra. Ka edhe prej tyre, që thonë: Egjiptianët janë faraonë kur kanë gjë në dorë dhe skllevër kur nuk kanë gjë në dorë. Etj, etj, etj.
Këto fjalë, të gjitha pa përjashtim, janë fjalë të pamoralshme, për të cilat mendoj se ata që i qarkullojnë janë të paguar prej qarqeve të huaja, që i thurin intriga ymetit tonë dhe që i dëshirojnë mallkimin, pa marrë parasysh se a thuhen kalimthi apo janë barcoleta djegëse, ndikimi i afër apo i largët i të cilave është i rrezikshëm për unitetin dhe solidaritetin në këto ditë të vështira.
Islami e kanë ndaluar (bërë haram) shpifjen dhe përgojimin dhe të dyja i ka konsideruar prej gjynaheve të mëdha, ku shpifja është fabrikim për të pafajshmit, ndërsa përgojimi është të folurit për një të metë ekzistuese, materiale apo etike, duke e gjuajtur tjetrin për ta zhvlerësuar apo diskredituar.
Kur meditojmë në tekstet e sheriatit shohim, se ndalimi (bërja haram) përfshin atë çfarë qarkullon nëpër gojët e individëve prej gjynahut përmes të cilit kërkohet dëmtimi i vetë personit apo familjes së tij. Por, ajo që ndodh tani, mund ta quajmë përgojim xhemator apo shpifje xhematore, qëllimi i të cilët është poshtërimi i popujve të shumtë, dobësimi i lidhjeve të unitetit të madh që i ka përfshirë dhe rikthimi i arabëve në xhahilijet (periudhën e injorancës), të cilës Islami ia ka prerë ndikimin, duke e refuzuar largimin nga njëri-tjetri.
Pra, është përgojim i përbërë, ose poshtërsi e shumëfishtë, rezultati i saj është nxitja e urrejtjes në zemra, copëtimi i radhëve dhe errësimi i të ardhmes.
Nuk përfiton prej kësaj pune, veçse armiqtë e Islamit, të interesuarit për shqyerjen e ymetit dhe shkatërruesit e xhematit të tij.
Ky lloj budallallëku i dënueshëm e ka ndryshuar historinë e ymetit arab deri në një masë shumë shqetësuese dhe sot qëllimi është shndërrimi i armiqësive qeveritare në armiqësi komunitare (popullore), në të cilën humbet çështja palestineze, shembet shtëpia e madhe arabe dhe brezat trashëgojnë urrejtjen e brezave, e kështu shkojnë dëm porositë e Allahut në kontekstin e fjalës ‘heba’ (pluhur): “Le të jenë të vëmendshëm, ata të cilët e kundërshtojnë urdhrin e tij (urdhrin e të Dërguarit të Allahut), ose do t’i përfshijë ndonjë trazirë (fitne) ose do t’i godasë ndonjë ndëshkim i rëndë!” – (Kur’ani, En-Nur: 63)
Kur e përshkruaj një situatë të keqe të një njeriu apo të një xhemati (bashkësie) në një mënyrë të pamatur, atëherë nuk më bën dobi mua, se a po them të vërtetën, sepse diskreditimi i njerëzve nuk është plaçkë e lejuar. Po, kur unë përmend dikën me diçka që e urren, nuk më pranohet prej meje justifikimi duke thënë: Vendosa të them të vërtetën!
Besoj se ia vlen të përmend këtu historinë e Maizit sahabiut, i cili u dënua për shkak të kryerje së krimit të imoralitetit. Ebu Hurejre (r.a) transmeton duke thënë: Maiz El-Eslemiu erdhi te Resulullahu (a.s) dhe dëshmoi kundër vetes së tij me katër dëshmi për imoralitet, duke thënë: Kam shkuar me një grua në mënyrë të ndaluar (haram). Çdo herë që e thoshte, Resulullahu (a.s) e anashkalonte, dhe e përmend hadithin, derisa transmetuesi thotë: Resulullahu (a.s) i tha Maizit: “Çfarë qëllimi ke me këtë fjalë?!” I tha: Dua të më dëlirësosh! Resulullahu (a.s) urdhëroi ta gurëzonin, e u gurëzua.
Resulullahu (a.s) dëgjoi dy persona prej ensarëve duke i thënë njëri-tjetrit: Shikoje këtë, të cilin Allahu e kishte mbuluar, e nuk e la veten e tij, derisa të gurëzohej si gurëzimi i qenve!
Transmetuesi thotë: Resulullahu (a.s) heshti (nuk foli), pastaj eci për njëfarë kohe dhe kaloi pranë një gomari të ngordhur dhe tha: “Ku janë filani dhe filani?” Ata të dy u përgjigjën: Ja, ku jemi o Resulullah! Tha (a.s): “Hani prej cofëtinës së këtij gomari!” Ata të dy thanë: O Resulullah, Allahu të ka falë çdo gjë që të ka kaluar dhe çdo gjë që vjen, kush e ha këtë?
Resulullahu (a.s) tha: “Ajo që bëtë më përpara ndaj nderit të atij njeriu, është më rëndë se sa ngrënia e cofëtinës. Pasha Atë, që shpirti im është në dorën e Tij, ai tani është në lumenjtë e xhenetit!”
Allahu i Madhëruar thotë për ata që fabrikojnë të meta dhe i gjuajnë njerëzit me to: “Ata, të cilët i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, pa bërë asgjë (pa të drejtë), ata mbartin shpifje dhe gjynah të qartë!” – (Kur’ani, El-Ahzab: 58)
Nganjëherë ndjej se përgojimi është më i dëmshëm se shpifja, sepse atij shpifësit mund t’i zbulohet gënjeshtra e tij dhe të dërgohet në gjykatë për të marrë ndëshkimin e merituar, ndërsa përgojimi i një personi apo kombi për në një të keqe që e kanë, për ta poshtëruar pozitën e tyre, atëherë kjo është ajo që i frikësohet të keqes së saj dhe i druhet dëmit të saj.
Ajo që kërkohet prej njerëzve të besimit, është të mbulojnë rrëshqitjet dhe jo t’i përhapin ato, dhe ta ndihmojnë të rrëzuarin të çohet, në vend që t’ia shtojnë thellësinë humnerës së tij për ta përthithë sa më shpejt!
Shejkh Muhamed El-Gazali
(Nga libri: El-Hak el-mur, v.2)
Lavdrim Hamja








