Përkundër “presionit të madh”, Serbia refuzon t’i vërë sanksione Rusisë

Ana Bërnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Serbia po përballet me presion të jashtëzakonshëm sepse është i vetmi vend në Evropë që s’i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

“Qëndrimi ynë është plotësisht me të drejtën ndërkombëtare dhe interesat tonë kombëtarë. S’është aspak e lehtë, por ne po luftojmë çdo ditë që ta ruajmë”, ka thënë ajo për Radio Televizionin e Serbisë, duke shtuar se qëndrimi i Serbisë nuk do të ndryshojë as në të ardhmen.

Ajo ka thënë se shpreson që qëndrimi i Serbisë kuptohet nga Rusia, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera.

Sipas Bërnabiqit, qëndrimi i këtij shteti nënkupton “paprekshmërinë e integritetit territorial të një shteti të njohur ndërkombëtarisht, siç është Serbia”.

“Nuk mund të betohesh për paprekshmërinë e integritetit territorial të Ukrainës dhe në të njëjtën kohë të mos e zbatosh këtë parim për Serbinë. Prandaj qëndrimi i Serbisë është shumë specifik dhe të gjithë duhet ta kuptojnë ose të paktën ta dëgjojnë. Kemi paguar çmimin më të lartë për shkelje të tilla të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Bërnabiq. /koha