Përleshje të dhunshme kanë shpërthyer në qytetin verior italian Torinos gjatë një proteste në mbështetje të qendrës sociale Askatasuna, duke lënë të paktën 29 zyrtarë të rendit të lënduar dhe duke nxitur reagime të forta nga udhëheqja politike e Italisë, transmeton Anadolu.
Sipas mediave lokale, autoritetet italiane thanë se të paktën 29 policë kanë marrë trajtim spitalor pas trazirave mbrëmë vonë, përfshirë një efektiv që u rrethua dhe u rrah me shkelma, grushte dhe goditje me çekiç gjatë përleshjeve.
Një polic pësoi disa mavijosje dhe një plagë në kofshën e majtë që kërkoi qepje, duke mbetur i shtruar në spital, por jashtë rrezikut për jetën.
Dhuna shpërtheu në fund të një marshimi kombëtar kundër mbylljes në dhjetor të qendrës sociale Askatasuna, e cila kishte qenë e okupuar për gati 30 vjet.
Ndërsa protesta fillimisht kaloi në mënyrë paqësore, grupe personash të maskuar thuhet se më vonë u përpoqën të thyejnë kordonët policorë në lagjen Vanchiglia.
Policia tha se protestuesit hodhën shishe, gurë, mjete zjarrvënëse të improvizuara dhe bomba tymuese, i vunë flakën kontejnerëve të mbeturinave dhe një automjeti të blinduar policor, si dhe përdorën mobilje rrugore dhe shtylla ndriçimi të shkulura si armë.
Forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës, topa uji dhe ndërhyrje për shpërndarjen e turmës gjatë përleshjeve që zgjatën më shumë se një orë.
Përleshjet kanë rindezur debatin mbi sigurinë publike dhe menaxhimin e protestave në Itali.
Sipas vlerësimeve të policisë, në marshim morën pjesë rreth 15 mijë persona, ndërsa organizatorët pretenduan deri në 50 mijë pjesëmarrës. Protesta mblodhi sindikata bazë, aktivistë nga qendrat sociale në mbarë Italinë dhe figura publike.
Të paktën dy persona u arrestuan gjatë përleshjeve, ndërsa disa të tjerë u morën në pyetje nga policia. Hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar personat e përfshirë në sulmin ndaj policit dhe dhunën e gjerë.




