Përmbytet anija me emigrantë në brigjet e Italisë, humbin jetën 43 persona

Të paktën 43 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjes së një anijeje që transportonte emigrantë të parregullt në brigjet e qytetit Crotone në jug të Italisë, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë italiane ANSA, mësohet se incidenti ndodhi sot në orët e para të mëngjesit në brigjet e zonës Steccato di Cutro në qytetin Crotone dhe se anija me rreth 250 emigrantë të parregullt u përmbyt pasi u nda në dysh në një pikë pranë bregut.

Sipas të dhënave paraprake, kanë humbur jetën 43 persona, shumica fëmijë si dhe janë shpëtuar 80 persona të tjerë.

Bëhet e ditur se 20 nga 80 emigrantët e shpëtuar janë dërguar në spital në qytetin Crotone. Sipas deklaratave të dëshmitarëve, anija e peshkimit transportonte rreth 250 persona.

Mediat italiane njoftuan se ka shqetësime se numri i viktimave mund të rritet në mbi 100.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në një deklaratë me shkrim tha: “Jam thellë e trishtuar për shumë njerëz, jetët e të cilëve janë lënë përgjysmë nga trafikantët e qenieve njerëzore. Të lëshosh në det një varkë vetëm 20 metra të gjatë me deri në 200 persona në kushte të këqija të motit, është krim”.

“Qeveria është e vendosur të parandalojë këto tragjedi duke parandaluar nisjen e anijeve të emigrantëve nga pikat e nisjes dhe për këtë arsye do të vazhdojë ta bëjë këtë duke kërkuar bashkëpunim në nivelin më të lartë nga shtetet e origjinës”, tha Meloni e cila shtoi se nuk duhet të bëhen spekulime përmes të vdekurve.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi tha se ajo që ka ndodhur është tragjedi e madhe dhe se është thelbësore që ata të vazhdojnë të gjitha llojet e nismave për të parandaluar lëvizjen e anijeve me emigrantë të parregullt.