Përplasjet e fundit Macron-Le Pen, liderja e së djathtës ekstreme është pranë Presidentit në sondazhe

Në prag të heshtjes zgjedhore në Francë, presidenti Macron i druhet lideres të së djathtës ekstreme Marine Le Pen bazuar në sondazhet e fundit. Macron e ka quajtur atë raciste dhe gënjeshtare, ndërsa kjo e fundit i ka quajtur këto deklarata si të dhunshme.

Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi të premten rivalen e tij më të fortë Marine Le Pen ndërsa kërkonte të bindte francezët që ta votojnë për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Macron duket se po përballet me një sfidë të ashpër nga Le Pen, kjo e bazuar në sondazhet e fundit, në të cilat liderja e së djathtës ekstreme u afrua mjaftueshëm ndaj kreut aktual të shtetit.

Rikthimi i saj solid në sondazhe e ka vendosur fitoren e saj brenda kufirit të gabimit në disa sondazhe.

Macron e quajti Le Pen mashtruese, ndërsa programin e saj si racist.

Macron: Bazat e saj nuk kanë ndryshuar, ajo ka një program racist që synon të ndajë shoqërinë në mënyrë shumë brutale. Ajo po i gënjen njerëzit me premtime boshe që nuk do të jetë në gjendje t’i financojë dhe ka për të larguar investitorët.

54-vjeçarja reagoi e tronditur për deklaratat e presidentit, të cilat i quajti të dhunshme dhe jo të denja për statusin e tij.

Le Pen: Për javë të tëra, ndërsa të gjithë bënin fushatë, ai ishte president pa qenë kandidat, duke harruar që ishte kandidat. Sot ai është kandidat duke harruar që është president i Republikës. Si kre shteti ai nuk duhet të përdorë dhunë në debate demokratike. Termat që ai përdor janë jashtëzakonisht agresivë, madje do të thosha të dhunshme, nuk janë të denja për një president dhe mendoj se as për një kandidat.

Le Pen e ka përqendruar fushatën e saj në fuqinë blerëse, duke prekur shqetësimin kryesor të votuesve duke premtuar uljen e taksave.

Le Pen duket se e ka ndryshuar paksa retorikën e saj anti imigracion, duke ia lënë vendin kandidatit tjetër të së djathtës ekstreme Eric Zemmour, i cili e ka eklipsuar ideologjinë radikale të Le Pen.

Shumë votues të krahut të majtë u kanë thënë sonduesve se në ndryshim me vitin 2017 do të votonin për Le Pen. /oranews