“Po punësohen edhe pensionistë”/ Greqia kërkon forcë punëtore gjatë sezonit turistik: Mbi 200 mijë vende të lira

Sipas mediave greke, vlerësohet se më shumë se 160,000 njerëz, përveç atyre të punësuar tashmë, duhet të punësohen në sektorët e ndërtimit dhe më shumë se 50,000 për të mbuluar postet në turizëm.

Në sektorin e akomodimit kanë filluar të konsiderohen zgjidhje ekstreme, si rekrutimi i pensionistëve apo punësimi me kohë të pjesshme të mësuesve gjatë muajve të verës, ndërsa në ndërtime dhe koncesione, grupe të huaja.

Kreu i Dhomës Teknike të Greqisë (TEE) Giorgos Stasinos shpjegon se nevojiten më shumë se 10,000 inxhinierë shtesë dhe më shumë se 50,000 zejtarë shtesë, ndërsa numri i personelit shtesë të punës që kërkohet i kalon 100,000 vetë.

“Ne kemi përballë një sfidë të madhe, unike në histori, vëllim dhe sasi – dmth projekte publike dhe private që duhet të zbatohen në vetëm pak vite”, thotë Stasinos. “Por sektori i ndërtimit ka humbur një pjesë të madhe të burimeve të tij bazë në vitet e fundit: njerëzit me njohuri, përvojë dhe aftësi të nevojshme për të zbatuar të gjitha këto projekte.”

Konfederata Greke e Turizmit vlerëson se nga 250,000 vende pune që kërkojnë hotelet greke, më shumë se 50,000 nga të gjitha specialitetet mbeten vakante. Dhe kjo pavarësisht pagave relativisht të larta të ofruara, sipas sipërmarrësve të industrisë. /panorama