“Po ta mbante gojën injoranti, armiqësitë do të pakësoheshin”

Dr. Besim Arbanashi

Kur njeriu fillon të kuptojë drejt, i shtohet kultura, e po ashtu dhembshuria ndaj të tjerëve, kjo ngase ai tani di saktësisht të drejtat dhe detyrimet që i takojnë.

Të kuptuarit e drejtë dhe dija e saktë e edukojnë njeriun, i ndihmojnë atij të korrigjojë sjelljet e tij, e bëjnë poashtu zemërmadh në gjykime e vizion rreth asaj që e rrethon.

Në të kundërtën, sa më injorant të jet njeriu rrjedhimisht i shtohet dëshira për dominim e gjykim mbi të tjerët, kjo ngase injoranca krijon në shpirtin e injorantit zbraztësi e cila e shtynë atë të preokupohet me të tjerët, të monitorojë e të regjistrojë të metat e tyre.

Mungesa e moralit, si një prej karakteristikave më të rëndësishme të njeriut korrekt bën që personi injorant të mos preokupohet për asnjë lloj standardi vlerash. E keni parë atë se si nuk mjaftohet me të qenurit injorant, por në të njëjtën kohë është edhe fanatik në injorancën e tij. Pa fije morali, ndërgjegje, as respekti, shpesh është në gjendje të vërsulet edhe ndaj figurave që gjithë jetën e tyre ia kushtuan shërbimit ndaj vlerave.

Bukur e kishte thënë dikush nga të mençurit: ushqejeni injorantin me dituri dhe ai do të vdes. Përse? Sepse dija është helmi i injorancës, ndërsa imam Shafiu paska thënë: kush nuk e shijon hidhërimin e të mësuarit për një orë do të pijë nga poshtërimi i injorancës gjatë gjithë jetës së tij.

Mungesa e diturisë dhe të kuptuarit e drejtë janë nga sprovat më të mëdha dhe nga shenjat e kiametit. Nuk ka devijuar njerëzimi ndonjëherë për tjetër për veç se si shkak i cektësisë në dije e të kuptuar.

“-Ai i cili nuk di dhe nuk e di që nuk di është injorant dhe të tillin lereni.

-Ai i cili nuk di por është i vetëdijshëm që nuk di, atë mësojeni.

-Ai i cili di por nuk e di se di, i tilli është në gjumë andaj zgjojeni.

-Ai i cili di dhe është i vetëdijshëm se di, të tillin pasojeni.”

Dr. Besim Arbanashi