SUV-i i ri i Porsche-it, aktualisht i quajtur M1, do të jetë pasardhësi i modelit Macan me motorë me djegie të brendshme.
Pra, për ta sqaruar, Macan-i i ri është me motor elektrik, ndërsa M1-i i ri do të ofrohet me motorë me djegie të brendshme.
Në vend të lëvizjes me rrotat e pasme, fuqia do të transmetohet në mënyrë bazike te boshti i përparmë.
Rrotat e pasme do të përfshihen vetëm nëse ekziston rreziku i humbjes së kapjes me rrugën. Një ndryshim i qartë për Porsche-in, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i njohur për veturat me lëvizje nga rrotat e pasme.
M1-i bazohet në të njëjtën platformë si gjenerata e tretë e Audi Q5 dhe përdor sistemin e lëvizjes Quattro Ultra të Q5-ës, raporton Autocar.
Ky SUV është pjesë e politikës së re të modeleve të Porsche-it me qëllim që të ndalojë rënien e shitjeve. Në të njëjtën kohë, Porsche synon të zhvillohet shpejt duke përdorur platformën e Audit.
Pritet që M1 të ofrohet me motorë benzine: një motor 2.0-litërsh turbo me 268 kuaj/fuqi dhe një motor të fuqishëm V6 3.0-litërsh me 362 kuaj/fuqi.
Nuk janë planifikuar variante hibride plug-in apo me naftë. Lëvizja me rrotat e përparme do të thotë se Porsche po ndërpret një traditë 94-vjeçare.








