Policia izraelite arreston imamin e Xhamisë së Madhe të qytetit Lid

Xhamia e Madhe në Lid (Lod) Izrael

Policia izraelite arrestoi Yusuf al-Baz, imamin e Xhamisë së Madhe në qytetin Lid (Lod), ku jetojnë shumë palestinezë, shtetas të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Avokati i Baz, Khaled Zabarka për AA tha se policia izraelite bastisi shtëpinë e imamit 63-vjeçar herët në mëngjes.

Zabarka theksoi se Baz u arrestua me akuzën për “provokim” dhe sot do të paraqitet në gjykatë.

Në një deklaratë me shkrim nga policia izraelite, pa përfshirë emrin e Bazit thuhet se “Një i dyshuar i cili besohet të ketë postuar në llogarinë e tij në Facebook inkurajim dhune ndaj policisë, u arrestua në qytetin e Lidit me udhëzimet e zyrës së prokurorit”.

Avokati Zabarka tha se videoja në fjalë ishte një ekstrakt nga një film i huaj dhe u shfaq në të gjithë botën dhe e përshkroi atë si “marrëzi” për ta konsideruar si një arsye për arrestim.

Imam Yusuf al-Baz njihet si një klerik dhe udhëheqës i shquar midis qytetarëve palestinezë, shtetas izraelitë.

Qyteti Lid u bë skenë e dhunës midis palestinezëve dhe policisë izraelite pasi policia izraelite sulmoi besimtarët në Xhaminë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor të okupuar. /aa