Policia e Izraelit ndërhyri me automjete për shpërndarjen e turmave dhe me forcë ndaj dhjetëra personave që protestuan të martën para parlamentit izraelit në Kudsin Perëndimor kundër projektligjit që parashikon dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë, duke arrestuar dy persona, raporton Anadolu.
Një grup prej rreth 50 aktivistësh izraelitë mbajtën pankarta me mbishkrimet: “Jeta e palestinezëve ka vlerë”, “Jo dënimit me vdekje barbar, gjenocidal dhe të aparteidit”, “Jo legalizimit të ekzekutimit të palestinezëve” dhe “Refuzoni dënimin me vdekje”.
Protestuesit, të cilët mbanin pankarta në anglisht, arabisht dhe hebraisht, u përpoqën të ngrinin zërin e tyre ndaj autoriteteve izraelite përmes sloganeve dhe daulleve.
Disa protestues u lënduan pasi policia izraelite ndërhyri me ujë me presion dhe forcë fizike. Për shkak të ndërhyrjes policore, pjesëmarrësit në protestë u detyruan të shpërndaheshin ndërsa shumë protestues u ekspozuan ndaj ujit me presion dhe shtyrjeve nga policia izraelite.
Në një deklaratë të policisë izraelite thuhet se gjatë shpërndarjes së protestës kundër projektligjit për dënimin me vdekje të të burgosurve palestinezë para ndërtesës së parlamentit, dy persona u arrestuan.
Parlamenti i Izraeli miratoi projektligjin kontrovers të hënën. Legjislacioni lejon gjykatat të vendosin dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar për vrasje të qëllimshme të izraelitëve pa kërkesë të prokurorit dhe pa marrëveshje unanime të gjyqtarëve. Ai zbatohet gjithashtu për gjykatat ushtarake që trajtojnë rastet që përfshijnë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas Komisionit për Çështjet e të Burgosurve, 117 palestinezë që aktualisht mbahen në burgjet izraelite mund t’i nënshtrohen këtij ligji.
Legjislacioni ka shkaktuar kritika edhe brenda Izraelit. Rreth 1.200 figura izraelite, përfshirë laureatë të Çmimit Nobel, ish-zyrtarë ushtarakë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, shprehën kundërshtim të fortë në shkurt, duke e quajtur atë një “njollë morale”.
Më shumë se 9.500 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, përfshirë 350 fëmijë dhe 73 gra, sipas zyrtarëve palestinezë, të cilët pretendojnë se të ndaluarit përballen me keqtrajtim, uri dhe neglizhencë mjekësore.
Që nga tetori 2023, Izraeli ka ashpërsuar masat ndaj të ndaluarve palestinezë në mes të luftës në Rripin e Gazës, e cila sipas burimeve palestineze ka vrarë më shumë se 72.000 persona dhe ka plagosur 172.000 të tjerë, shumica gra dhe fëmijë.




